Beograd, refugjatët e bllokuar marshojnë drejt kufirit me Hungarinë
Qindra refugjatë të bllokuar në Serbi po ecin në këmbë nga Beogradi drejt kufirit serb me Hungarinë, në shenjë proteste ndaj mbylljes së tij për emigrantët që kërkojnë të hyjnë në vendet e Bashkimit Europian. Mbi 6.000 vetë mbetën në Serbi, kur Budapesti vendosi këtë verë të kufizonte numrin e atyre që do të lejoheshin të kalonin në territorin e tij. Rruga ballkanike, e përdorur vitin e kaluar nga gati një milion vetë u mbyll zyrtarisht në mars, duke i detyruar të mbeturit prapa të kërkonin rrugë alternative e të paguanin trafikantët për vazhdimin e udhëtimit drejt destinacionit përfundimtar. Kërkesa e refugjatëve protestues ishte e qartë. “Hapni kufirin me Hungarinë”, thërrisnin një pjesë e tyre. Të tjerë mbanin në duar pankarta, ku shkruhej “Nuk kemi nevojë për ushqime, as për ujë e as për ndonjë gjë tjetër. Duam vetëm që të hapni kufirin”. Distanca nga Beogradi e deri në kufirin hungarez është rreth 193 km. Serbia njoftoi se nuk ka për të vendosur tela me gjemba, por do të dërgojë ushtrinë për të mbyllur kufijtë e saj me Maqedoninë dhe Bullgarinë, në mënyrë që të ndalojë mbërritjen e emigrantëve nga këto dy vende. “Do t’i bllokojmë refugjatët në të njëjtën mënyrë siç kanë vepruar edhe vende të tjera, pa qenë nevoja të ngremë barriera në kufi”, deklaroi presidenti Tomislav Nikoliç. Hungaria refuzon të pranojë refugjatët, që Bashkimi Europian po përpiqet t’i shpërndajë mes anëtarëve të bllokut përmes sistemit të kuotave.