Serbia kërkon urgjetisht ekstradimin e ish-kryeministrit kosovar, Ramush Haradinaj nga Franca.
Një ditë pasi ky i fundit fitoi lirinë me kusht pa të drejtë lëvizje nga shteti francez, qeveria serbe zhvilloi sot një mbledhje urgjente mbi këtë çështje. Ministrja serbe e Drejtësisë Nela Kuburovic, pas mbledhjes për rastin Haradinaj, deklaroi se Franca e ka për detyrë t’i dorëzojë Serbisë kreun e AAK-së. Kuburoviç tha se Serbia ka pasur 40 ditë afat për dorëzimin e kërkesës për ekstradimin e Haradinajt.
“Brenda afatit 5 ditësh e kemi dorëzuar kërkesën për ekstradim dhe të gjitha dëshmitë në mënyrë që organet franceze të gjyqësisë do të mund të vepronin, ndërkohë që e kemi dorëzuar edhe materialin plotësues për ekstradim pikërisht në momentin kur është vendosur që ai të lirohet” ka thënë Kuburovic. Nga ana tjetër Ministrja serbe pretendon se Prokuroria e Krimeve të Luftës ka siguruar prova të reja dhe dëshmitarë kundër Haradinaj. “Prokuroria e Krimeve të Luftës ka zgjeruar hetimet për krimet e ish-komandantit të UÇK-së Ramush Haradinaj, ka rreth 30 dëshmitarë dhe prova të tjera. Disa nga dëshmitarët kanë dhënë deklaratë me shkrim, ka nga ata që kanë statusin e dëshmitarëve të mbrojtur në mënyrë që ata të mos mund të zbulojnë emrat e tyre” . Ajo theksoi se Serbia nuk heq dorë nga kërkesa për ekstradim.