Plot 50 hektarë sipërfaqe është dezinsektuar në zonën e Shkodrës dhe atë të Velipojës gjatë këtij viti.
Nuk ka qenë vetëm sipërfaqja e zonave bregdetare, por edhe kanalet, pusetat dhe bodrumet pranë këtyre zonave, ato që janë përfshirë gjithashtu në këtë proces të kontrollit të përhapjes së mushkonjave apo insekteve të tjera të dëmshme. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë një inspektimi të punës në terren të një prej ekipeve që po zbaton programin e dezinsek të Ministrisë së Shëndetësisë, ka pohuar se ka një përmirësim të ndjeshëm të situatës. Nga matjet e realizuara nga Drejtoria Rajonale e Shëndetit të Shkodrës, rezulton se në zonat e dezinsektuara nuk ka prani të larvave të mushkonjave. Deri tani, janë bërë 2 trajtime dezinsektimi të zonave bregdetare të Shkodrës dhe Lezhës, duke përdorur teknikat e Cold-fogging (Bti WG); Pompave me presion të lartë (Bti WG); dhe Atomizatorit të shpinës për granula (Bti G) për sipërfaqet e gjera, ndërsa Granulatorët e dorës (Bti + Bsph) janë përdorur për pusetat; dhe Dozatorët për lëng (film monomolecular) për bodrumet. Procesi i dezinsektimit në zonën e Shkodrës dhe Velipojës do të vazhdojë deri në fund të muajit tetor.