Rreth 500 metër aks rrugor në lagjen Gjomarkaj të fshatit Bërdicë e Sipërme në Njësinë Administrative Bërdicë janë gati për asfaltim, projekt i cili i kushtoi Bashkisë Shkodër rreth 5.7 milionë lekë të reja.
Faza përfundimtare u inspektua nga stafi i bashkisë dhe kryebashkiakja Voltana Ademi, e cila tha se projekti u shërben rreth 700 banorëve të zonës. Ademi tha gjithashtu se për shkak të mungesës së fondeve, ish-komunat e kanë patur të pamundur të bëjnë investime në infrastrukturë, detyre e cila sipas Ademit po kryhet nga Bashkia Shkodër.
Projekti për rregullimin e rrugës në lagjen Gjomarkaj të njësisë Administrative Bërdicë pritet të përfundojë në fund të këtij muaji. Në investim është përfshirë ndriçimi i rrugës, hapja e kanaleve të kullimit si dhe asfaltimi i plotë i 500 metrave rrugë.