Kanalet kulluese në njësinë administrative Berdicë në disa segmente janë kthyer në të padobishëm si shkak i ndotjes me mbetje të ndryshme urbane. Pavarësisht nismave të Bashkisë Shkodër, kanalet e kullimit vijojnë të shfaqin probleme për faktin se bimësia rritet shpesh duke sjellë edhe bllokimin e tyre në shumë pjesë përgjatë aksit Shkodër-Velipojë.
Një gjë e tillë ka sjellë probleme të vazhdueshme sidomos në stinën e të mbjellave kur uji i ka përmbytur prodhimet duke mos patur vend se ku të shkarkohet
Përgjatë aksit Shkodër-Velipojë, mbetjet e shumta urbane si dhe mungesa e pastrimit, ka bërë shpeshherë që vërshimi i ujërave të përmbytë dhjetëra hektarë toka bujqësore, ku Bërdica është një ndër ato zona e cila ka qënë ndër më të prekurat nga fenomeni i përmbytjeve.
Aktualisht fermerët kanë vijuar mbjelljen e tokave bujqësore, ndonëse ekziston frika e përmbytjeve për shkak të kanaleve të bllokuara edhe si pasojë e hedhjes së mbeturinave, për të cilat në verë janë dhe shkak për burim infeksionesh.