Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha ka bërë thirrje që Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe FBI, të hetojnë veprimtarinë e ambasadores amerikane, Yuri Kim në Shqipëri, duke e akuzuar këtë të fundit se ka ndërhyrë në gjykatë kundër opozitës, duke iu referuar vendimit të gjykatës së Apelit të Tiranës në 3 mars që ktheu për rigjykim çështjen e vulës së PD-së. Berisha përsëriti sërish akuzat ndaj kryeministrit, Edi Rama duke thënë se ka korruptuar ambasadoren amerikane, njëjtë si ish agjentin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal.

“Gonigalë të tjerë vazhdojnë betejën antikushtetuese antiligjore për të mbajtur me çdo kusht në pushtet Edi Ramën, njeriun që rekrutoi kryezbuluesin e SHBA-ve. Dhe kjo është McGonigalja me fustan guvernatorja Yuri Kim. Këtu nga Korça do t’i shtoj një pyetje. Ndërhyrja jote në gjykatë kundër opozitës që e pranoi edhe vetë, në cilin parim e bazon? Të ka porositur eprori yt? Kurrën e kurrës! Eprori yt është për shtetin ligjor, për pavarësinë e drejtësisë, për vendime të pavarura, por ty të ka porositur Edi Rama. Njësoj si ka korruptuar kundërzbuluesin e FBI-së, të ka korruptuar edhe ty”-tha Berisha

Mes të tjerash, ai tha se Kim duhet të kërkojë falje për praninë e saj në inagurimin e TEC-eve në Vlorë të cilët sipas tij pavarësisht se nuk po prodhojnë energji, u kushtojnë qytetarëve shqiptarë plotë 90 mijë euro qira ditore. Çfarë të shtyn ty zonjë? Kanë sjellë në Vlorë dy gjeneratorë gjigandë të përdorur për dekada në Bangladesh jashtë çdo standarti vijnë në gjirin e Vlorës ndërkohë se ne kemi përdorur energji më shumë se kurrë në historinë tonë. Kushtojnë 90 mijë dollarë qira për qytetarët shqiptarët dhe Yuri Kim i inaguron me praninë e saj. T’u kërkojë falje shqiptarëve për këto shushunja. Inspektori i DASH dhe Kongresi i SHBA-ve dhe FBI të hetojnë Yuri Kim sepse ajo e ka humbur reputacionin e SHBA-ve më shumë se kurrë ndonjëherë”- u shpreh ish kryeministri. Berisha mbrëmjen e sotme pati një takim me simpatizantë demokratë në Korçë të cilëve u prezantoi Ledina Alollin kandidaten për kryetare bashkie në zgjedhjet lokale të 14 majit. Ai u bëri thirrje të gjithë të pranishmëve që t’i konsiderojnë zgjedhjet lokale të 14 majit, si zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e vendit.

Artikulli paraprakARRESTOHET AUTORI I PLAGOSJES NË KURBIN, TË NDODHUR ME 7 MARS
Artikulli tjetërARRESTOHEN 14 POLICË NË SHQIPËRI, AKUZOHEN PËR KORRUPSION E SHPËRDORIM DETYRE