Kryetari i Partisë Demokratike, në një konferencë për shtyp me gazetarët skanoi projektbuxhetin e parashikuar nga qeveria “Rama”, për vitin e ardhshëm.

Berisha shprehet se buxheti nuk u përkushtohet qytetarëve, por investimeve kapitale si në diktaturë kur ndërtoheshin bunkerë e tunele

FJALA E BERISHËS

Qeveria dorëzoi këto ditë në parlament buxhetin për vitin 2025.

Ky buxhet në total prej 8.2 miliardë euro është buxheti më i madh dhe që në pamje të parë duhet të ofronte mirësinë më të madhe për qytetarët shqiptarë. Por, në Shqipëri ka ndodhur një fenomen paradoksal.

Rritja e përvitshme e buxhetit gjer pothuajse në dyfishimin e tij është shoëqruar në mënyrë të habitshme me rritjen e përvitshme të varfërisë. Varfërisë relative, varfërisë të skajshme apo mjerimit.Kjo dukuri unike është tipar kardinal i buxheteve të diktaturave ideologjike dhe mobokracive kleptokratike.

Nuk mund të ndodhë kurrë kjo përveçse në regjime ku paratë përdoren siç i përdorte diktatori Hoxha për bunkerë dhe tunele, ose siç i përdor Edi Rama për punëra publike me çmime 10 herë më të lartë se në Kroaci.

Kështu që ky buxhet, para se gjithash mund të cilësohet si buxheti i triumfit të kleptokracisë, të vjedhjes, parajsës qeveritare dhe si buxhet pa mëdyshje i ndëshkimit të qytetarëve shqiptarë.

Do më lejoni t’u zbërthej këtë deklaratë.

Së pari, në qoftë se ju merrni dhe studioni buxhetin, do të gjeni se pjesa dërrmuese e tij nuk i përkushtohet qytetarit, shërbimeve, trajtimit, pagesave ndaj tij, por është investim kapital njëlloj siç ndodhte në diktaturën ideologjike ku 35 përqind e buxhetit investohej në bunkerë dhe tunele, por këtu nuk ka bunkerë dhe tunele. Këtu investohet në rrugë, punë publike që ndërtohen me çmim të 10-fishtë.

Si rregull, investimi në rrugë është investimi ndër më fitimprurësit dhe Banka Botërore në studimet e veta, ka gjetur se 1 milion i investuar në rrugë është 4 milionë fitim në të ardhura pas investimit. Me dy kushte, kushti i parë është që investimi të jetë fizibël, pra të jetë ekonomikisht i leverdisshëm. Dhe natyrisht jo kurrë si tuneli i Llogarasë që i vihet dryni në tetor dhe i hapen portat në qershor dhe që ka kushtuar 65 mijë euro për banor.

Natyrisht jo kurrë si aeroporti i Vlorës, që shpallet aeroporti më i madh i Ballkanit, që ndërtohet me një çmim të katërfishtë krahasuar me një aeroport të përmasave që do kishte nevojë Vlora dhe që gjobit qytetarët shqiptarë me biletat jo më pak se 600 mijë në vit.

Investimet në rrugë mund të shndërrohen në ndëshkim, jo vetëm kur fizibiliteti nuk ekziston, por kur ato nuk realizohen në kohën optimale. Jashtë kohës optimale të tyre, këto investime zbehen deri në shuarje.

Do ju jap një shembull sot, 12 vite vazhdoi rruga 34 km Korçë-Ersekë. U ndërtua me 800 mijë euro km, kurse 7 kilometrat e dytë kaluan, pasi erdhi Edi Rama në pushtet, nga 800 mijë euro, në 4-5 milionë euro kilometri.

Ju garantoj se rruga Korçë-Ersekë jo që nuk rikthen investimin, por nuk e shlyen atë as për dy gjenerata.Është bërë i tmerrshëm mekanizmi i vjedhjes së shqiptarëve me punë publike.Të dashur qytetarë dhe qytetare.Këto punë ndërtohen sot në Shqipëri me 10-fishin e çmimit që ndërtohet sot në Kroaci. 90 përqind të këtij çmimi i vjedh Lubia me Edi Ramën.

Se si shkatërrohen punët publike, modeli më klasik në historinë e tyre është Unaza e Madhe e Tiranës. Ju duhet ta dini se kjo unazë 27 km në të gjithë gjatësinë e saj, nga të cilat 3 km e para ishin të mbaruara në vitin 2013, nga viti 2013 gjer sot ka përfunduar vetëm gjysma e kilometrave të mbetura. Këtë vit dhe në vazhdim janë për t’u ndërtuar edhe rreth 12-13 kilometra të tjera.

Por çfarë ka bërë Lubi Balluku dhe Edi Rama?

A mund të imagjinoni ju që të copëtojë për të vjedhur njëlloj siç copëtonte Edi Rama lejet për pallatet, e ka ndarë në 14 lote në mënyrë që në çdo lot të vidhet, të vidhet dhe vetëm të vidhet. Të rikthehemi pak, ja pra pse ky është buxheti i vjedhjeve të mëdha, i ndëshkimit me vepra publike të qytetarëve shqiptarë.

I shndërrimit të këtyre veprave nga të dobishme, të leverdishme, në të paleverdishme, në disfatë, në dështim për qytetarin.Merrni pak investimin që bëhet këtë vit, Bradashesh-Peqin, 160 milionë euro.Ju kërkoj njerëzisht ju, anëtarëve të medieve, të shkoni ta bëni atë distancë dhe të shihni çfarë trafiku ka.

Unë nuk jam për moszgjerimin e rrugëve, por jam pa diskutim për një rend në të cilin duhet të sigurosh leverdishmërinë ekonomike dhe jo të ndëshkosh qytetarët me investime të tilla.

Artikulli paraprakSTAR SPORT – 04.11.2024
Artikulli tjetërVERMOSHI E LEPUSHA PO SHPOPULLOHEN