Deputeti kristiandemokrat në Parlamentin Gjerman, Gunther Krichbaum, folës i grupit parlamentar CDU/CSU për çështje të Bashkimit Evropian, ka dhënë një intervistë rreth situatës politike dhe jo vetëm.

INTERVISTA:

DW: Sot në Bundestag ju hodhët idenë e një modeli të ri për vendet që janë më afër BE-së, por nuk mund ose nuk duan të jenë anëtare të BE-së. A është kjo përgjigja juaj ndaj propozimit të fundit të presidentit francez Macron për krijimin e një formacioni të ri politik përtej BE-së?

Gunther Krichbaum: Sigurisht që ka të bëjë edhe me sugjerimet e zotit Macron dhe mendoj se do të ishte pozitive që Gjermania dhe Franca të bashkëpunojnë në këtë drejtim. Sfondi është se vendet që duhet të pranohen sot janë pak më larg standardeve të Bashkimit Evropian sesa ishin dikur vendet kandiduese si Finlanda, Republika Çeke ose Sllovakia. Pra, të mos e gënjejmë veten: sa i përket Ukrainës – dhe unë do të doja që Ukrainës t’i jepej statusi i kandidatit – procesi i anëtarësimit do të kërkojë dekada. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që ne të ofrojmë një perspektivë të besueshme evropiane, një model për vendet që nuk duan ose nuk mund të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian.

Cilat vende keni parasysh konkretisht?

Për shembull, vendet e Zonës Ekonomike Evropiane (EEA), si Lihtenshtajni, Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Britania e Madhe. Këto vende nuk duan të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian. Por duhet të kemi edhe një model për vendet që ende nuk janë anëtarë të BE-së. Por kjo ide duhet elaboruar. Për mua është e rëndësishme që ky model të kuptohet si një stacion përgjatë rrugës drejt Bashkimit Evropian. Këto vende do të mund ta vendosin vetë, nëse duan të anëtarësohen apo preferojnë të qëndrojnë aty përgjithmonë, siç janë vendet e EEA, të cilat nuk synojnë të anëtarësohen. Në këtë rast do të kishim një anëtarësim të asociuar. Ky është një model që nënkupton që në titull se këto vende i përkasin që tani BE-së. Ky anëtarësim i asociuar mund të zgjerohet për shembull me pjesëmarrje në tregun e përbashkët, ose me pjesët e kapitujve që janë të hapur ose që janë përmbyllur. E mundshme është një pjesëmarrje në tregun e brendshëm, ose bashkim doganor. Ky model ende duhet të elaborohet, por mendoj se është një perspektivë e besueshme evropiane.

Ju nuk e përmendët Ballkanin Perëndimor. A do të ishin edhe vendet Ballkanit Perëndimor pjesë e këtij modeli?

Preferoj të flas për Evropën Juglindore ose për vendet e Ballkanit e jo për Ballkanin Perëndimor. Aty ka vende si Sllovenia dhe Kroacia, të cilat tashmë janë anëtare të Bashkimit Evropian, vende, me të cilat tashmë po negociojmë, si Serbia dhe Mali i Zi, vende që janë ante portas (duke hyrë , shën.i red.), pra, drejt çeljes së negociatave të anëtarësimit, të cilat, siç e dini, janë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Ka edhe vende si Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, të cilave nuk mund t’u jepet asnjë perspektivë garantuese për momentin. Pra, kemi të bëjmë me gjendje të ndryshme. Pra ky model vlen edhe për shtetet e Ballkanit, në mënyrë që edhe ato të marrin diçka gjatë procesit të negociatave dhe t’u jepet sinjali: Ju do të hyni në BE, edhe pse kjo mund të zgjasë ca. Më lejoni t’ju kujtoj se vendi i fundit që iu bashkua BE-së, Kroacia, kishte negociuar 8 vjet e gjysmë me BE.

Ju sot patët një takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Cili ishte qëllimi i këtij takimi?

Ky takim kishte për qëllim që zoti Rama të njihej me kryetarin e CDU-së dhe të grupit parlamentar të CDU/CSU-së, Friedrich Merz. Por në takim merrnin pjesë edhe shoqërues të kahershëm të proceseve të Shqipërisë, si për shembull Joe Ëadephul dhe unë. Rama e ftoi Friedrich Merz-in të vinte në Shqipëri ose të bënte një udhëtim në vendet e Ballkanit. Dhe ai jo vetëm që është i hapur dhe i interesuar, por e ka në plan të vizitojë rajonin. Biseduam edhe për progresin e reformave në vend, të cilin personalisht e konsideroj të dalluar. Le të kujtojmë këtu reformën në drejtësi, vettingun. Pra, kanë lëvizur shumë gjëra në një drejtim pozitiv vitet e fundit. Nëse nuk do të ishte kështu, nuk do të pranoim çeljen e negociatave. Që këto kanë vonuar, për këtë nuk e ka fajin Shqipëria, por bllokada e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut. Dhe ne mund t’i bëjmë thirrje Bullgarisë që t’i zgjidhë mosmarrëveshjet në planin dypalësh, sepse ato nuk kanë të bëjnë me negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Zoti Rama ka thënë se nëse Bullgaria nuk e heq bllokadën ndaj Maqedonisë së Veriut, ai do të kërkojë shkëputjen. A e mbështesni ju këtë?

Ne si grup parlamentar kemi marrë vendim që këto dy vende të jenë së bashku. Por kam përshtypjen se Bullgaria është duke lëvizur. Kjo është përshtypja ime tani. Shpresoj shumë se mund ta kapërcejmë edhe këtë pengesë.

Dhe së fundi, doja t’ju pyesja për situatën brenda Partisë Demokratike në Shqipëri. Grupi juaj ka qenë gjithmonë i vëmendshëm ndaj situatës së brendshme në Shqipëri, përveç muajve të fundit.

Së pari, më vjen shumë keq për zhvillimet në PD dhe nuk jam i vetmi. Sigurisht që është çështje e vetë partisë se kë dëshiron të zgjedhë për lider. Neve nuk na takon të ndërhyjmë. Por kjo do të thotë edhe për ne dhe për mua personalisht, se unë do të vazhdoj të punoj dhe ta mbështes PD-në vetëm nëse jepet një sinjal largpamës në përzgjedhjen e kryetarit. Nëse nuk do të jetë kështu, por do të ketë kthim në të djeshmen, në mos të pardjeshmen, atëherë kjo nuk mund të gjejë mbështetjen time personale. Në një rast të tillë, unë do të angazhohesha që të pezulloheshin procedurat për anëtarësim në nivel të Partisë Popullore Evropiane. Sepse ne, si parti Parti Popullore Evropiane duhet të ecim përpara.

Pra, ju do ta refuzoni PD-në, nëse në krye të saj vjen Sali Berisha?

Besoj se u shpreha qartë ashtu siç e thashë. Partia lipset të marrë një vendim të mençur dhe të marrë parasysh efektin në planin ndërkombëtar, nëse në të vërtetë ndjek pretendimin se jo vetëm dëshiron të bashkëpunojë në nivel ndërkombëtar, por edhe të marrë në dorë drejtimin e vendit. Ky është qëllimi legjitim i një partie në demokraci: që të vijë në pushtet e të formojë qeverinë. Unë mendoj se amerikanët kanë gjetur fjalë të qarta dhe mendoj se partia bën mirë që fjalë të tilla të mos i lërë pa i dëgjuar./DW/

Artikulli paraprakFINALJA E CONFERENCE LEAGUE NË PRAG, UEFA “ZHDUK” EMRIN “AIR ALBANIA”, ZBULONI ARSYEN
Artikulli tjetërTREGU I ZI PARA FINALES SË AIR ALBANIA, KRYETARI I TIFOZËVE TË FEYNOORD: SHQIPTARËT KËRKONIN 3000 EURO PËR NJË BILETË