Ish-Kryeministri Sali Berisha, vijon ‘Foltoret’ në qytete të ndryshme të vendit. Në Rrëshen me mbështetësit e Mirditës, Berisha tha se misioni i tij është rrëzimi i regjimit dhe rivendosja e pluralizmit. Berisha përmendi edhe një herë vizitën e Presidentit turk Erdogan në Tiranë dhe shprehu kundërshtinë e tij për termin vëllazëri që u përdor gjatë takimit.
Për Berishën shqiptarët janë vëllezër mes njëri-tjetrit, të të gjitha feve, ndërsa të tjerët i kemi miq.
“Vëllezër janë katolikët e Mirditës, ortodoksët e Korçës, janë ata të cilët kanë gjak shqiptari sepse kështu ka qenë gjithnjë për shqiptarët. Unë isha fëmijë, babai im praktikant mysliman por në familje bëheshin të gjitha festat. E pyesja unë: pse festojmë babë? Sepse janë tanët më thoshte. Rama një herë thotë se është lider katolik, një herë ortodoks, ndërsa herën e fundit tha ‘kush të tha që nuk jam lider mysliman’. Ai ta ndërrojë sa herë të dojë fenë por ne vëllazërinë e kemi brenda kombit, të tjerët i kemi miq”, tha Berisha.