Ish-kryeministri Sali Berisha nga dritarja e banesës, ku ndodhet në arrest shtëpie, ka mbajtur fjalimin e radhës përpara mbështetësve. Berisha ka ftuar profesionistët e lirë në protestë. Ish-kreu i qeverisë tha se profesionistët e lirë duhet që të bashkohen, për padrejtësinë e madhe që po iu bën qeveria.
Pjesë nga fjala e ish-kryeministrit Sali Berisha:
Kam një thirrje të veçantë për ata dhjetëra mijëra specialistë dhe ekspertë të profesioneve të lira, shërbëtorë të nderuar të qytetarëve shqiptarë. Bashkohuni me ne për padrejtësinë e madhe që u ka bërë Edi Rama. Bashkohuni me ne të përballemi dhëmb për dhëmb jo vetëm për veten, por për fëmijët tanë, për mbarë shqiptarët. Studenteve dhe studentëve, gjimnazistëve dhe gjimnazisteve iu bëj një thirrje zemre, ngrihuni në lartësitë e ëndrrës suaj se ju, se familja, se Shqipëria nuk ka asgjë më të bukur se ëndrrën tuaj të bëhet realitet. Bashkohuni me ne se sot ju jeni të rinjtë më të përçmuar, më të injoruar, por edhe më të poshtëruarit. Ju meritoni të ardhmen. E ardhmja juaj është e ardhmja e ndritur e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sot i duheni Shqipërisë ju. I duheni shumë me guximin tuaj. Me trimërinë tuaj. Jepjani asaj një dorë, një mbështetje se ajo do ua shpërblejë ju dhe fëmijëve tuaj.