Debate të forta në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së të thirrur sot nga kreu i grupit Enkelejd Alibeaj.
Sali Berisha ka marrë pjesë sërish dhe madje ka kërkuar dorëheqjen e Alibeajt, duke e akuzuar atë se punon kundër PD-së.
Diskutimet kanë vijuar ndërsa ish-kryeministri ka theksuar se Lulzim Basha mbart me vete të vërteta të hidhura si dosja ruse, për të cilën shtoi se vetë ish-kryeministri e kishte mohuar por të dhënat dolën gabim. Ndër të tjera tha se padia ndaj PD e Alibeajt në gjykatë është pa asnjë tagër.
Si kundërpërgjigje Alibeaj tha se ankimin nuk e ka bërë në titull personal.
Pjesë nga debati:
Berisha: Rishiko pozicionin sepse ti punon kundër PD për interes të Bashës i cili kontrollohet nga Rama. Përbashkimi i PD ka pasur vështirësi, por ekziston një vullnet i gjerë si në bazë si të deputet për të zhbërë një periudhe të shkurtër përçarje. Duheshin bërë hapa në këtë drejtim. Por një njeri dha dorëheqjen iku dhe pasoi një zinxhir ngjarjesh. Ai mbart me vete të vërteta të hidhura si dosjen ruse. Unë e kam mohuar vetë, por dolën gabim të dhënat që kisha unë. Por ka edhe një gjë tjetër. Pa asnjë tagër Alibeaj padit PD në gjykatë. Padit një proces që demokratet e kanë pranuar. Yuri kim ka bërë presion në gjykatë.
Alibeaj- Berishës: Kam shumë respekt për ju doktor. Por në cilësinë time duhet që ta apeloja vendimin e gjykatës. Unë nuk e kam bërë në titull personal ankimin. Vendimi i gjykatës mendoj se është i paligjshëm, kur të flasë Apeli do e pranoj i pari. Ti pushtove selinë se s’ke kohë. Do të hiqesh si triumfator. Është i paligjshëm. Ai vendim nuk është i formës së prerë.