Kryesia e PD-së, e zgjedhur në fund të muajit gusht, do të zhvillojë nesër mbledhjen e parë, të thirrur nga kryedemokrati Lulzim Basha, mes kërcënimeve të Berishës për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të partisë.
Bëhet me dije se mbledhja do të zhvillohet nesër në orën 16:00, në selinë blu. Kjo mbledhje e Kryesisë vë edhe njëherë Bashën përballë mbështetësve të Berishës, si Flamur Noka, Edi Paloka e Belind Këlliçi, të cilët janë pjesë e kryesisë.
Në një mesazh drejtuar anëtarëve të saj, Sekretari i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi bën me dije se në mbledhje pritet të zhvillohen diskutime mbi situatën politike, si dhe “marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike dhe funksionimin demokratik të organeve të saj”.