Sali Berisha ka mbledhur sot kryesinë e Rithemelimit të Partisë Demokratike në selinë blu. Berisha theksoi se situata në vend zgjidhet vetëm me revolucion, ndërsa shtoi se Edi Rama dridhet nga demokratët.
‘Koha është për revolucion. Kjo situatë zgjidhet vetëm me revolucion. Kësaj situate i dalin zot vetëm ata që qëndrojnë për të vërtetën. Vendosin të mos mashtrojnë më tej qytetarët shqiptarë. Ne kemi ardhur vetë deri këtu. Lulzim Basha do të hyjë në histori. Edi Rama nuk arrinte dot kurrë në këto përmasa të një përbindëshi të lirisë shqiptare. Edhe sot është peng i tij. Prokuroria ka hapur dosjen e parave ruse. Që ta ketë ta komandojë. Të bëjë çfarë të dojë me të.’- u shpreh Berisha. Në fjalën e tij, Berisha foli për garën e primareve të zhvilluara në kuadër të zgjedhjeve të kandidatëve për zgjedhjet vendore të 14 majit. Sipas Berisha, në primare votuan 55 mijë anëtare dhe simpatizantë të PD-së.
‘Ky ishte një proces i cili zhvillohej për herë të parë me këtë proporcion, transparencë dhe pjesëmarrje. PD në përputhje me përcaktimet e statutit të rithemelimit të saj të 11 dhjetorit, bëri realitet premtimin e saj dhe sanksionimin e këtij premtimi, se pushtetarët vendorë dhe ata qendror, deputetët do të zgjidhen me votën e anëtarësisë së saj dhe simpatizantëve të saj. Në garë pati mbi 200 kandidatura, në tërësi veprimtarë të shquar dhe të vendosur të PD-së, por në garë morën pjesë edhe veprimtarë të shquar të shoqërisë civile dhe shqiptarët të shquar në emigracion. Në këtë garë, e para me këto standarde në historinë e vendit, votuan për qytetarët e parë të bashkive, rreth 55 mijë anëtarë dhe simpatizantë të PD. Kurrë ndonjëherë në këtë parti kaq vota nuk janë hedhur. Ky votim tejkaloi të paktën me 15 % të gjitha votimet e tjera.’- tha Berisha. Sali Berisha ka deklaruar pasditen e sotme gjatë mbledhjes me Kryesinë në seli, se po përgatisin një ligj që do të detyrojë partitë që të votojnë brenda vetes për drejtuesit. Berisha ka garantuar se nëse PD fiton dhe vjen në pushtet, ky është ligji i parë që do të votohet.
‘Një ligj do të përgatitet sa më shpejt, i cili do të detyrojë çdo parti politike, të respektojë normat bazë të demokracisë në jetën e saj. Ky ligj u miratua nga Bundestagu gjerman, pas daljes nga diktatura naziste dhe ky ligj ka detyruar forcat politike të harkut kushtetues të Gjermanisë, në jetën e tyre të brendshme të zbatojnë standardet demokratike.
Uroj që anëtarët dhe simpatizantët e PS-së të detyrojnë deputetë e tyre të votojnë këtë ligj, përndryshe i garantoj se ligji i parë që do të votohet pas fitores së PD-së, do të jetë ky ligj dhe se çdo forcë politike që nuk e zbaton atë do të dalë jashtë ligjit, cilado qoftë ajo.’- tha Berisha.