Sali Berisha ka mbledhur kryesinë e Rithemelimit në selinë blu. Belind Këlliçi, i cili humbi përballë Erion Veliajt në garën për bashkinë Tiranë tha se në fokus të diskutimit do të jenë zgjedhjet. Ai u shpreh se do të mundohen të kapërcejnë hatërmbetjet për t’u bashkuar ndërsa lidershipi nuk do të ndryshojë. Me këtë dha mesazhin e qartë se Sali Berisha nuk do të largohet.
“Duhet të vëmë gishtin në plagë e të flasim për zgjedhjet. Zgjedhje të lira e të ndershme nuk ka. Duhet të kapërcejmë çdo hatërmbetje e pakënaqësi që t’i përgjigjemi më mirë shoqërisë. Nuk e di si lidhet reflektimi me dorëheqjen, do shohim çfarë s’ka shkuar mirë. Me lidershipin mjafton të shihni statutin, ka ikur koha e dëshirave personale”, tha Këllici.
Ndërsa Bardh Spahia, i cili humbi bashkinë e Shkodrës përballë Benet Becit thotë se fajtor është Rama që pretendon se i ka vjedhur votat. Spahia shprehet se nuk ndjen humbje dhe shton se votat e demokratëve ishin aty.
“Do bëjmë një analizë tani. Krimi i organizuar dhe i mbështetur e i orientuar nga Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë. Votat e anëtarësisë aty janë. Ka rritje dhe përfshirje të institucioneve të shtetit me të gjitha forcave. Po t’i lexoni shifrat, votat e demokratëve janë aty”, tha Spahia.