Kryetari i Partisë Dekomratike, Sali Berisha u ka bërë thirrje të rinjve dhe të rejave të FRPD se në këtë vit elektoral, dy janë rrugët, duke theksuar se ‘është koha jonë që së bashku të ecim drejt fitores’.
“Sot ne jemi në fushatë elektorale, ose në vit elektoral. Dy janë rrugët tona.
Në qoftë se do e krahasonim fushatën elektorale me dasmën, me festën, me çfarë të doni ju, atëherë duhet të vendosim një dasmë pa nuse, apo një dasmë me nusen që meritojmë. Nuk mund të zgjedhim të parën ne, nuk mund të mashtrohemi ne. Është radha jonë dhe ne së bashku kemi forcën, kemi guximin, kemi aftësitë, mençurinë për të ecur drejt fitores. Secili nga ju mendon me të drejtë fitore elektorale. Me qindra e mijëra bashkëmoshatarë tuaj mendojnë fitoren elektorale. Në këtë ëndërr në këtë mendim qendron forca, energjia nukleare e opozitës për të arritur objektivat e qeverisë teknike në mënyrë që të ketë zgjedhje të vërteta dhe fitore të sigurtë të opozitës në zgjedhjet e ardhshme. Ndaj dhe ju ftoj të bëjmë gjithçka që çdo ditë të shtojmë radhët tona, çdo ditë të vrasim frikën kudo që ajo shfaqet. Çdo ditë të mendojmë për shansin historik që kemi, shpëtimin e Shqipërisë realisht në një rrafsh, në rrafshin kombëtar, demografik, në rrafshin e qenies kombëtare, pushtimin më të egër që kanë njohur shqiptarët në kohëra.
Unë nuk zgjatem më shumë, por ju garantoj se PD në programin e saj të ardhshëm, kthesën e madhe që duhet të shënojë Shqipëria, e konsideron si kthesën e madhe të qëndrimit ndaj të rinjve shqiptarë.
Janë ata të cilët kanë energjitë, kanë ëndrrën, kanë intelektin që do kthejnë Shqipërinë në rrugën e revolucionit të inteligjencës artificiale. Që do bëjnë që Shqipëria dhe shqiptarët të mos humbasin shansin e madh të këtij revolucioni por të qëndrojnë në ball të kohës.
Ju faleminderit dhe ju uroj shumë suksese”, u shpreh ai.