Ish kryeministri, Sali Berisha tha se përveç kryeministrit Edi Rama, të gjithë ministrat e qeverisë, janë nën hetim nga drejtësia e SHBA për çështjen McGonigal.
Berisha tha se vendimi i gjykatës në SHBA thotë që të gjithë personat me të cilët Rama ka shkëmbyer mesazhe apo telefonata janë nën hetim nga SHBA.
“Shqiptarët e panë se këtu pak kohë më parë pikërisht personi që i lëshoi karrigen McGonigalit, foli si një kufomë e pakallur. Foli kështu dhe iku si hije sepse ka kryer krime shumë të rënda. Sepse siç thotë Uashington Post që ai në një dalje televizive e quajti gazetën më serioze, McGonigal dhe Edi Rama janë të zhytur deri në grykë në veprimtari sekrete. Unë nuk kam fakte të zbërthej të gjithë veprimtarinë e tyre sekrete por kam besim të plotë se kjo gazetë ka informacion të plotë mbi llumin McGonigalit dhe Edvin Gonigalit.
Doli këtu dhe mendoi se duke lexuar aktakuzën do mund të mashtronte shqiptarët. Unë dua t’i informoj shqiptarët se ka dy dokumente zyrtare të SHBA-ve, njëri daton në shtatorin e vitit që kaloi. Ai është një vendim gjykate për të hetuar çdo gjë rreth Edi Ramës, çdo sms, çdo komunikim që ka patur me cilindo në botë. Por ky urdhër, u përfshin të gjithëve juve, të hetohen të gjithë ministrat e qeverisë dhe çdo njeri. Pra jeni të gjithë të hetuar. Të gjithë jeni nën hetim, sepse është e pamundur që mos jeni përfshirë në afera kriminale”-tha Berisha.