Ish-kryeministri Sali Berisha komentoi mbrëmjen e sotme marrëveshjen e 2008-ës për kodin zgjedhor. Përmes mesazhit të tij nga dritarja e banesës së tij, Berisha tha se në këtë vit u la pas epoka e varfërisë dhe hynë në epokën e prosperitetit.

“Të dashur miq, parti e interesit kombëtar, PD jo vetëm që nuk u shmang, por ajo promovoi në mbarë botën, të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë e kudo që janë. Pasi humbi zgjedhjet dhe dorëzoi pushtetin për shkak të gabimit të saj me skemat piramidale, armiqtë tanë menduan se ne do të ndryheshim në banesën e harresës, se fara jonë si demokratë do shuhej. Se PD nuk do kishte më. E gjithë bota kundër nesh. Por ne qëndruam në kauzën tonë. Miqtë e mi, qëndruam në kauzën tonë të drejtë sepse Shqipëria duhet të kishte opozitë. Dhe Shqipëria pa opozitë ishte shumë herë më e tmerrshme se piramidat e mashtrimit që u shembën nga PD. PD nuk u mposht, përkundrazi ajo mblodhi një nga një shqiptarët idealistë, djem, vajza, burrat e gratë e idealeve të larta njerëzore, i motivoi për kauzën e drejtë.

Dhe në vitin 2005, në qershor, ata që erdhën me rebelim në pushtet, u përzunë me votën e lirë të shqiptarëve. 2005-2013, miq, në qoftë se me 22 mars, 32 vite më parë, ne ndamë epokat, epokën e diktaturës nga epoka e lirisë, ndamë historinë, historinë e diktaturës nga historia e lirisë, do u them me krenari se në vitin 2008, kur nxorëm Shqipërinë, shqiptarët, nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta, në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, ne përsëri ndamë epokat. Ne lamë pas epokën e varfërisë dhe hymë në epokën e prosperitetit. 22 marsi dhe fitorja e vitit 2005, bënë të mundur që shqiptarët, të stërkequrit në rajon, më të varfrit, të paguhen më mirë se të gjitha kombet e rajonit, përfshi këtu edhe dy vende të BE, Rumaninë dhe Bullgarinë. Shqipëria, miqtë e mi, firmosi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Shqipëria u anëtarësua në NATO. Shqipëria liberalizoi vizat. Të gjitha këto vetëm e vetëm se ne ishim seriozë me reformat. Sepse reformat ishin interesi juaj.”, tha Berisha.

Artikulli paraprakFORMACIONET ZYRTARE/ SYLVINHO SHUAN DILEMAT
Artikulli tjetërSULMI TERRORIST NË KRYEQYTETIN RUS, KËSHILLTARI I ZELENSKYT: UKRAINA NUK FSHIHET PAS VRASJEVE NË MOSKË