Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha ka deklaruar se ardhja në vitin e ri kërkohej një angazhim më i madh politik dhe se kryefjala duhej të ishte organizimi i seksioneve.
“Vit i ri që fillon, kërkon nga PD dhe nga ju, të ketë për kryefjalë organizimin dhe vetëm organizimin. Vetëm ushtritë e organizuara fitojnë betejën. Ne jemi në një betejë ku kemi të gjithë potencialin për ta fituar. Duhet të organizohemi në çdo qelizë. Ky organizim është përcaktues sot për betejën elektrorale. Ne hyjmë në betejë elektorale, të harrojë njeri që ne bojkotojmë zgjedhjet. Ne hyjmë në betejë dhe suksesi do përcaktohet nga organizimi ynë në nivel seksioni, nga lufta që duhet t’i bëjmë fiktivitetit”-tha Berisha. Ai u shpreh i bindur për fitoren në zgjedhjet lokale të 14 majit, ndërsa shtoi se kishin edhe betejën me kryeministrin Edi Rama, i cili sipas tij po tentonte të përçante PD-në.
“Ndeshjen e fuqishme do e fitojmë ne por nga ana tjetër kemi një betejë me Ramën, për pazaret e turpshme që bën për të zhdukur PD-në, nëpërmjet një grushti njerëzish të marrë peng që nuk kanë as ligj as moral. Duhet të bëjmë gjithçka për një fushatë elektroale të fuqishme dhe mbështetje totale të kandidatëve tanë”-shtoi ish kryeministri.