Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e nisi konferencën e përjavshme me një minutë heshtje për viktimat e luftës në Ukrainë, teksa sot shënohet 1 vit nga agresioni rus. Berisha në fjalën e tij dënoi luftën e Moskës.

“Sot 1 vit qëndresë dhe luftë heroike e kombit të Ukrainës kundër agresionit barbar rus. Të dashur miq, një vit më parë diktatori mizor i Kremlinit urdhëroi trupat ruse të sulmojnë pa asnjë shkak një komb, vend të lirë, të pavarur, demokratik, fqinj dhe vëlla me kombin rus. Në të njëjtën kohë ai kërcënoi vende të tjera edhe anëtare të NATO-s dhe vringëlliu edhe potencialin e tij bërthamor.

Ky agresion në të vërtetë në fillim shtangu dhe tkurri për një moment Evropën dhe botën, të cilat përjetonin me ankth ditët e numëruara të rënies së Kievit dhe mbarë Ukrainës në kthetrat e pushtuesit barbar. Por ndërkohë që të tjerët prisnin dhe paralajmëronin për çështje ditësh kapitullimin e Ukrainës, Presidenti Volodimir Zelenski, forcat e armatosura, dhe kombi liridashës Ukrainas u ngritën në zenitin e guximit, trimërisë, atdhetarisë dhe me një qëndresë epike shndërruan në kocka dhe hekurishte autokolonat e mijëra tankeve dhe agresorëve rus që po marshonin drejtë Kievit.

Pas këtij shembulli frymëzues dhe të jashtëzakonshëm vendet anëtare të Aleanca së Atlantikut të Veriut të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara mobilizuan potenciale të mëdha financiare, logjistike, armatime moderne me të cilat luftëtarët e pamposhtur të Ukrainës bënë që agresori të dështojë me turp në rrafshin strategjik taktik operacional dhe sot pas një viti de fakto të mundet në çdo rrafsh ushtarak, ekonomik, politik.

Agresioni rus ndaj Ukrainës konsolidoi si asnjëherë më parë unitetin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, vendosmërinë e kësaj aleance dhe udhëheqësit të saj SHBA për të mbrojtur me fuqinë e tyre çdo centimetër të territorit të vendeve anëtare të NATO-s. Lufta e kombit Ukrainas në udhëheqjen guximtare dhe largpamëse të Presidentit Zelenski çliroi Evropën nga ‘pushtimi’ energjetik rus. Kjo luftë faktoi se ekspansionizmi rus është rreziku më i madh për paqen dhe sigurinë në Evropë.

Sot, në këtë përvjetor njerëzit e lirë në mbarë botën përulen me nderimin më të madh para qëndresës së jashtëzakonshme dhe sakrificës sublime të dhjetëra e mijëra luftëtarëve ukrainas të lirisë që luftuan dhe ranë në fushën e nderit për lirinë dhe pavarësinë e vendit tyre.

Partia Demokratike e Shqipërisë, duke dënuar me forcën më të madhe agresionin barbar rus dhe mbështetur fuqishëm rezistencën e fuqishme të popullit të Ukrainës ndaj tij, konsideron luftën heroike të kombit të Ukrainës kundër agresorit rus, si një luftë jo vetëm për sovranitetin dhe lirinë e vendit të tij, por si një luftë mburojë e pakapërcyeshme për mbrojtjen e lirisë në Evropë dhe në botë”, tha Berisha.

Artikulli paraprakKAOSI NË KUVEND, MAZHORANCA NUK DO TË THËRRASË KËSHILLIN E ETIKËS: DJE PATËM SEANCË NORMALE
Artikulli tjetër“S’JAM AQ I FUQISHËM SA TË LËVIZJA QEVERINË”, BERISHA: ARBEN AHMETAJ MËKATAR, POR KËTU KA TË DREJTË