Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar sërish se nuk i njeh zgjedhjet e 25 prillit. Në fjalën e tij, Berisha tha se Edi Rama ka vendosur monizmin e plotë ndërsa shtoi se ai është në krye të qeverisë me vota të vjedhura.
Kreu i PD përmendi edhe ish-kryetarin e PD, për të cilin deklaroi se “nëse do bënte thirrje për protesta pas zgjedhjeve të 25 prillit, Rama nuk do ishte duke qeverisur”. Por, shtoi Berisha, Lulzim Basha u mor me zgjedhjet dhe karrigen e tij.
“Kemi një qeveri që ka vendosur monizmin e plotë. Rama në votimin për Presidentin me mandate të grabitura, nëpërmjet patronazhistëve, bandave, nëpërmjet blerjes së votës por mbi të gjitha me përdorimin total të institucioneve shtetërore në funksion të fushatës elektorale.
Në zgjedhjet e 25 prillit si kurrë më parë, në fushatë u angazhuan të gjitha institucionet dhe potenciali financiar e njerëzor i shtetit, çka e bën fushatën dhe zgjedhjet të pavlefshme.
Kemi të bëjmë me një pushtet që ka dalë nga zgjedhje të dhunuara. Nëse ish-kryetari i PD të nesërmen e zgjedhjeve ose të pasnesërmen do u bënte thirrje demokratëve të mbushnin sheshet, ato zgjedhje nuk legjitimoheshin kurrë.
Ai u mor me zgjedhjet e tij, dhe te tjerët sdo te merreshin me kaq hollesi. Kemi një pushtet të dalë nga vota e dhunuar, pushtet i cili me një parti që akumuloi nga viti në vit, sot ka 100 për qind të pushtetit”, tha Berisha.