Berisha: Mirëdita dhe përshëndetje gazetarëve të pranishëm në sallë dhe të gjithë qytetarëve që ndjekin këtë takim me shtypin.
Së pari dua të shpreh mirënjohje të pakufishme ndaj bashkëatdhetarëve tanë në Londër, të cilët me një kurajo dhe përgjegjësi të lartë qytetare, i dëshmuan Londrës, Britanisë së Madhe dhe mbarë kombit shqiptar se Edi Rama ishte jo vetëm i padëshirueshëm me suitën e tij elektorale në Londër, por ai u soll aty tipikisht si një narkodiktator.
Rojet dhe badigardët e tij ndërmorën aktet brutale të dhunshme, thyen kafka, plagosën, zvarritën demonstrues paqësorë vetëm e vetëm se ata me guxim kërkuan nga Edi Rama të largohej.
Denoncuan vjedhësit, hajdutin kryesor të kombit si të tillë dhe suitën e tij. Unë përshëndes sot të gjitha ata qindra shqiptarë, ata dhjetëra e dhjetëra guerrilas të demokracisë që protestuan dje kundër narkodiktatorit Edi Rama.
I uroj lirim të shpejtë Ilir Meshit dhe të gjithë demonstruesve paqësorë të lënduar nga banditë të paguar, badigardë, anëtarë të bandave kriminale që shoqëronin Edi Ramën në atë takim.
U bëj thirrje emigrantëve shqiptarë, të gjithë shqiptarëve jashtë vendit të ndëshkojnë Edi Ramën më votën e tyre.Të demonstrojnë fuqishëm ndaj çdo paraqitje të tij elektorale.
Aktet e dhunshme ndaj atyre që ky i ka përzënë nga Shqipëria, përbënin një krim dy herë më të shëmtuar. Një kryeministër me zero tolerancë ndaj kundërshtimit dhe kundërshtive është një narkodiktator i shëmtuar dhe meriton të kundërshtohet dhe vetëm të kundërshtohet.
Edhe njëherë, mirënjohjen më të madhe atyre që organizuan, atyre që morën pjesën dhe atyre që nga ajo sallë dëshmuan se Edi Rama ishte aty me banditë, kriminelë, njerëz pa kod dhe moral. Për herë të parë, një kryeministër thyen kocka të kundërshtarëve politikë në sallë për faktin e vetëm se ata ia përplasën në fytyrë ato që meritonte.
Të dashur miq.
Unë jam këtu sot gjithashtu për të denoncuar në emër të PD me forcën më të madhe faktin se organizatat kriminale dhe narkoshteti së bashku po bëjnë gjithçka kundër legjitimitetit të regjistrimeve të telefonatave të kriptuar.
Ju drejtohem sot për të shprehur shqetësimin tim më të thelle në lidhje me përpjekjet për të vënë në pikëpyetje ligjshmërinë dhe efektivitetin e masave të përgjimit nga organet ligjzbatuese të vendeve partnere në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, veçanërisht në kontekstin e regjistrimeve me Sky ECC, Encrochat.
Përdorimi i të dhënave të përgjimit me telefonat e kriptuar ka rezultuar një faktor vendimtar në shumë vende të BE-së – përfshirë Gjermaninë, Francën, Belgjikën dhe Holandën – në luftën kundër krimit të organizuar.
Këto masa jo vetëm që kanë ndihmuar në zbardhjen e rrjeteve kriminale, por gjithashtu kanë parandaluar një numër të madh krimesh. Njohja e këtyre provave përputhet me rregullat ligjore në fuqi dhe shërben për mbrojtjen e shoqërive nga krimi.
Nga hetimet e serverave të bisedave dhe mesazheve me Sky ECC, Encrochat etj, ka rezultuar se gjuha shqipe është gjuha e dytë më e përdorur në këto biseda të kriptuara dhe se nga 60 mijë aparate telefonike të kriptuara që ishin në përdorim, 15 mijë kanë qenë në përdorim nga shqiptarët.
Nga këto 8 mijë janë përdorur brenda në Shqipëri nga anëtarë të grupeve dhe organizatave kriminale, por edhe nga zyrtarë të lartë dhe drejtues të Policisë së Shtetit, prokurorë, gjykatës të të gjitha niveleve, zyrtarë të lartë të administratës, ministra.
Përqendrimi më i lartë i tyre prej 74 aparatesh është gjetur se ka qenë në ndërtesën e Këshillit të Ministrave dhe vetë kryeministri Edi Rama ka pasur në përdorim 2-3 prej tyre. Ai personalisht është akuzuar direkt nga partnerja e Charles McGonigal se bisedonin se bashku me Sky ECC.