Sali Berisha nuk do të qëndrojë “duarkryq” ditën kur Gjykata e Apelit do të vendosë për vulën e Partisë Demokratike e ku njëkohësisht do të mësohet edhe “fati” i tij politik. Në 3 mars, Apeli mban seancën gjyqësore që do i japë fund njëherë e mirë se kujt i përket PD-ja dhe në po të njëjtën ditë ish-kryeministri ka thirrur protestën e radhës kombëtare.
Pikërisht ky vendim, për mbajtjen e një proteste në ditën kur drejtësia po merr një vendim mjaft të rëndësishëm, për një çështje që është zvarritur prej më shumë se një viti, shihet si një presion nga ana e Berishës. Ky i fundit, duket se i druhet se Gjykata nuk do i japë vulën e partisë, e prandaj ka thirrur demokratët në protestë për të “treguar forcën” e tij dhe për të treguar se ka shumicën në parti, atë që ka pretenduar që në krye të herës. Data 3 mars do të jetë ‘beteja’ përfundimtare mes dy kampeve brenda Partisë Demokratike, pasi Gjykata e Apelit do të vendosë se kush do ta drejtojë partinë, Sali Berisha apo Enkelejd Alibeaj, më këtë të fundit që ka aktualisht edhe vulën e partisë. Duhet theksuar se Apeli ka vendosur që të shqyrtojë ‘çështjen më të nxehtë’ të momentit, 3 ditë para regjistrimit të partive politike për zgjedhjet vendore. Prandaj është shumë i rëndësishëm, pasi kështu do të mësohet edhe fati i Sali Berishës në zgjedhjet e 14 majit se si do të regjistrohet në zgjedhje në një kohë kur i ka zyrtarizuar kandidatët në të gjitha Bashkitë e vendit.
Kjo është protesta e tretë radhazi e Sali Berishës në atë që pretendon se është “Revolucion” për rrëzimin e qeverisë Rama, një revolucion që duket se do të zgjasë deri në 10 vite. Ndërkaq, protestat e tjera në Tiranë, tek parlamenti nuk do të ndalen, duke u zhvilluar çdo ditë që ka seanca kuvendore.