Koalicioni Shtëpia e Lirisë prezantoi sot kandidatin e saj për Bashkinë e Shkodrës Bardh Spahia. Spahia garon përballë Xhemal Bushatit të PD-së dhe Majlinda Angonit të PS-së. Gjatë fjalës së tij, Spahia tha se dera e bashkisë do të jetë e hapur për çdo qytetar të Shkodrës, praktikë që e ka aplikuar edhe gjatë profesionit të tij si mjek. Spahia tha se askush nuk do t’i ndalë demokratët në rrugën kundër të keqës që sipas tij ka përfshirë vendin.
“Sot dua të garantoj të gjithë demokratët se askush nuk na dal dot në rrugën tonë për të patur një parti fituese që nuk bën pazare me sakrificat e demoratëve. Askush nuk na përçan dot në rrugën drejt triumfit ndaj të keqës që ka përfshirë vendin. Bashkë, ne do të jetojmë për një qytet ku do të jetohet më mirë ”, tha ai.
E pranishme në takim është edhe Voltana Ademi, e cila nuk pranoi të merrte pjesë si kandidate në primaret e organizuara nga mbështetësit e Berishës për të nxjerrë kandidatin e tyre në zgjedhjet e 6 marsit. Të pranishëm, krahas Ademit dhe Berishës janë edhe Belind Këlliçi dhe Arben Imami. Gjatë fjalës së tij, Belind Këlliçi tha se demokracia ka lindur në Shkodër para se të lindte Partia Demokratike.
“Këto zgjedhje nuk janë vetë lokale, por kanë rëndësi shumë të madhe politike, janë zgjedhje të një rëndësie të veçantë. Nuk luhet fati vetëm i pushtetit lokal, se në bashkinë Shkodër do ta fitojmë, por këtu po luhet fati i pluralzimit. Në zgjedhjet 6 marsit është shumë e rëndësishme që çdo votë opozitare të shkojë për një qytetar, për një intelektual, i cili mëshiron më së miri vlerat e këtij qyteti, për Bardh Spahinë. Nga Shkodra, në datën 6 mars çdo qhtetar do të marrë një mesazh të fortë që PD është më e fortë se kurrë, më e bashkuar se kurrë dhe po shkon aty ku e ka destinacionin në krye të puëve të vendit, për të bërë vepra të mira për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha ai.