Kreu i PD-së Sali Berisha deklaroi sot se reforma në drejtësi ka dështuar plotësisht. Ai solli raportin e World Justice Project (Projekti i Drejtësisë në Botë), i cili vlerëson një seri treguesish të shtetit ligjor dhe të funksionimit të drejtësisë dhe sipas Berishës konstaton një rënie dramatike të këtyre treguesve në vitin 2024, krahasuar me vitin 2015.
“Jam para jush për të theksuar se dështimi i plotë i reformës sorosiane në Shqipëri dhe drejtësisë së re konfirmohet tashmë jo vetëm nga qytetarët dhe opozita shqiptare, nga mediat më prestigjioze ndërkombëtare, por konfirmohet nga institucione think-tanker më të specializuara të fushës.
Kështu, World Justice Project, Projekti i Drejtësisë në Botë, vlerëson një seri treguesish të shtetit ligjor dhe të funksionimit të drejtësisë dhe konstaton një rënie dramatike të këtyre treguesve në vitin 2024, krahasuar me vitin 2015. Këtu para jush do paraqes me grafiqe këtë rënie. Kufizimi i pushtetit të qeverisë.
Shqipëria nga vendi i 52-të është ngjitur në shkallaren e turpit në vendin e 106 për dorën e gjatë të ekzekutivit mbi pushtetet e tjera duke kaluar me disa ende Vietnamin dhe disa diktatura të tjera në botë”, tha Berisha.
Po kështu për korrupsionin, vijoi ai, Shqipëria bie nga vendi i 78 në vendin e 107.
“Natyrisht në një vend ku korrupsionin e udhëheq kreu i narkoshtetit, nuk mund të ndodhë ndryshe. Liria e shprehjes ka një rënie dramatike, nga vendi i 65 është vidhisur në vendin e 92. Sipas këtij raporti, e drejta e protestës dhe aktivizimit publik ka rënë nga pozicioni i 54 që kishte Shqipëria me rreth 48 vende, pra sot renditet në vendin e 102 për kufizim të të drejtës së protestave dhe lirive politike. Ndryshim dramatik ka pësuar zbatimi i ligjit. Nga vendi i 86 që ndodhej, sot Shqipëria është në vendin e 114.
Por, porsa i përket procesit administrativ, World Justice Project gjen se administrata e narkoshtetit shqiptar është njëra prej 16 administratave më të dobëta të planetit. Shqipëria në vitin 2015 renditej në vendin e 89 dhe është ngjitur në përkeqësim në vendin e 128”, deklaroi kreu i PD.