Ish-kryeministri Sali Berisha e krahason objektivin e tij për rikthimin e tij të tretë në krye të Shqipërisë me rikthimin e Steve Jobs, kur e hoqën nga puna siç shqiptarët kanë larguar 2 herë atë nga pushteti. Berisha tha se do t’i sjellë zhvillimin Shqipërisë.

“Ky do të jetë rikthimi më i suksesshëm në histori. Do ta krahasoj me Steve Jobs, që u rikthye dhe i bëri dhuratë botës I-Pod, I-Pad dhe Iphone. Ky rikthim i tretë do të ketë momente kulmore, gjithçka në interes të shqiptarëve”, tha Berisha teksa i përgjigjej pyetjeve të ndjekësve të tij në Facebook.

Berisha thotë se Qeveria e Edi Ramës nuk ka legjitimitet.

“Kjo qeveri u votua mbi sistemin e patronazhistëve dhe makinerinë e grabitjes së votës. Qëllimi numër një është rikthimi i të drejtës së shqiptarëve për të votuar si qytetarë të lirë. Unë ju garantoj se do bëhet gjithçka për t’i shkurtuar jetën qeverisë së Edi Ramës dhe që qytetarët të votojnë të lirë. Edhe në këtë fushatë, Rama po shkel çdo rregull dhe parim të zgjedhjeve të lira dhe të barabarta. Në fund, fatura do i shkojë vetëm atij. Ne do fitojmë”, vijoi ish-Kryeministri.

Sipas Berishës çështja më themelore që duhet të zgjidhë PD nesër në pushtet është rikthimi i besimit te të rinjtë shqiptarë dhe te shqiptarët në tërësi, se e ardhmja mund të ndërtohet në Shqipëri dhe se Shqipëria është një vend i bekuar me pasuri mahnitëse.

Artikulli paraprakSTAR SPORT – 10.04.2023
Artikulli tjetërSHPENZIMI I PARAVE TË FUSHATËS PËR MBJELLJE PEMËSH DHE RRITJA E PAGAVE, A KA SHKELUR PS KODIN ZGJEDHOR? SI E KOMENTON CELIBASHI