Ish-kryeministri Sali Berisha teksa rrëzoi sondazhet e publikuara deri më tani mbi rezultatet e mundshme të zgjedhjeve lokale të 14 majit, denoncoi publikisht kryeministrin Edi Rama. Në një konferencë të përjavshme për mediat, Berisha deklaroi se Rama për të falsifikuar rezultatet e sondazheve, iu ka dhënë kompanive që merren me këto polle nga 1 milion euro secilit, ndërsa shtoi se kandidatët e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ janë në ngjitje vertikale.

Mes të tjerash Berisha iu ka bërë thirrje të gjithë demokratëve, madje gjithë qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë të vijnë nesër në hapjen e fushatës elektorale të koalicionit “Bashkë fitojmë”.

“Së pari dëshiroj t’u drejtoj një thirrje të gjithë demokratëve të Shqipërisë, mbështetësve të PD-së, por edhe të gjithë qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, të vijnë nesër në festën e hapjes së fushatës elektorale të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’. Kjo fushatë karakterizohet nga një frymë e shkëlqyer optimizmi dhe besimi në fitore e njëjtë me atë të vitit 1992. Ka një situatë të elektrizuar, të cilën unë e kam përjetuar në pranverën e 92-shit. Ka disa ngjashmëri të tjera.

Më kujtohet si sot kur kompania më prestigjoze e botës në atë kohë, ose të paktën që dija unë që ishte Gallup, nxori Partinë e Punës 22 pikë para PD, në një kohë kur në 22 mars, partia e Punës së Shqipërisë me emër të ri doli me 22%. Gallup, një kompani shumë serioze mori një vendim; asnjë poll më në Shqipëri. Deri më sot s’ka bërë asnjë poll. Ajo që ka bërë poll është Gallup bullgaria. Çfarë po ndodh sot?

Nuk besoj se Gallup në atë kohë i mashtroi me qëllim shifrat, por antena lokale që kishte përzgjedhur e mashtroi në mënyrë të paskrupullt atë. Edi Rama iu ka dhënë kompanive të polle-ve 1 mln euro secilës për të falsifikuar rezultatet e polle-ve. Kjo është e vërteta. Por sot për fat të mirë e vërteta është se përsëri në këtë falsifikim, kandidatët tanë janë në ngjitje vertikale.”, tha Berisha.

Artikulli paraprakZGJEDHJET E 14 MAJIT, PREMTIMI I METËS: DO SHUMËFISHOJMË FONDIN E STREHIMIT SOCIAL PËR FAMILJET E REJA
Artikulli tjetërRRITJA E RROGAVE, RAMA: NËNTETARI DO PAGUHET 94 MIJË LEKË NË VITIN 2024! PAGAT E USHTRISË ISHIN ARSYE PËR T’U NDJERË KEQ