Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka vlerësuar rezistencën e deputetëve të opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, pas burgosjes të Nënkryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Ervin Salianji. Shembulli i deputetëve opozitarë duhet të shërbejë si frymëzim dhe apel për çdo demokrat dhe shqiptar, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij në protestën maratonë që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.
Fjala e Berishës
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, më miqësore, mirënjohjen më të pakufishme ju guximtarëve, misionarëve të pamposhtur të kauzës së drejtë të çdo shqiptari, të kauzës së dinjitetit, kauzës së lirisë, kauzës së votës së lirë, shpresës dhe të ardhmes së shqiptarëve.
Një përshëndetje të përzemërt oratorëve të kësaj platforme të fjalës së lirë që përcjellin anëkënd vendit të vërtetat që censuron regjimi i narkoshtetit, diktatura e bazuar në lidhjet me krimin, drogën dhe vjedhjet e shqiptarëve. Një përshëndetje të përzemërt deputetëve të opozitës, të cilët sot i treguan me gjestet dhe aktet e tyre burrërore, shqiptarëve dhe botës se kush është Noriega i Ballkanit dhe Europës.
Se kush janë anëtarët e organizatës së tij kriminale.
Dëshmuan me revoltën e tyre se narkoshteti ka zëvendësuar shtetin ligjor, Kushtetutën me kodin e mafies, pushtetin e padrinos.
Të dashur miq, ju i patë vetë skenat para parlamentit se si mëkatarët, të trembur nga krimet e tyre, silleshin si klandestinë para guximit të deputetëve tanë.
Qëndrimi i deputetëve, shembulli i tyre personal duhet të jetë frymëzim për çdo qytetare e qytetar.
Duhet të jetë një apel, një kushtrim për guximin e çdo demokrati e demokrateje, të përballemi me këta pushtetarë që nuk njohin ligj, nuk njohin Kushtetutë, nuk njohin moral dhe që janë të aftë të kryejnë çdo krim, të bëjnë çdo vjedhje vetëm e vetëm për interesat e pushtetit të tyre.