Kreu i PD-së Sali Berisha në një komunikim me gazetarët deklaroi se situata në vend po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme, pasi sipas tij Rama shkon në Parlament vetëm kur ka vjedhje të mëdha.
“Situata në vend po bëhet gjithnjë e më kritike. Me një arrogancë Rama deklaron se unë shkoj në parlament kur të dua pavarësisht se Kushtetuta ka përcaktime të qarta për detyrimet e deputetit dhe kryeministrit ndaj parlamentit.
Ky njeri shkon në mbledhjet e qeverisë vetëm kur vendos për vjedhje të mëdha. Nga 48 mbledhje në 2022 ishte i pranishëm vetëm në 9 mbledhje. Me sms në parlament drejton Lindën dhe Belindën. Kurrë ndonjëherë në këtë gjendje, papërgjegjshmëria absolute nuk ka rënë ky shtet. Deklaroi mbrëmë se unë nuk lejoj Komisionin Hetimor Parlamentar të hetojë për “aferën e shekullit.
Edi Rama nuk ka shans të pengojë të drejtën kushtetuese të parlamentit shqiptare për të krijuar komisionin. Nëse ai beson në këtë, provokon në vend destabilizim të plotë. Kurrë në histori, nuk ka ndodhur që Byroja e Parlamentit të anulojë ligje. As Byroja Politike e Enver Hoxhës nuk anulonte ligje.
Një grup banditësh që s’kanë asnjë moral politik marrin përsipër të thonë se Byroja vendosi të anulojë ligjin. Ai anulohet vetëm me ligj të Parlamentit dhe kurrë me vullnet të askujt tjetër,” tha Berisha