Ish-kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij në dritaren e banesës, ku ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ka kujtuar flijimin nga diktatura komuniste të poetit Havzi Nela. Berisha shprehet se sot sakrifica sublime e Havzi Nelës është më frymëzuese se kurrë.
“Miqtë e mi!
Sot sakrifica sublime e Havzi Nelës është më frymëzuese se kurrë. Sot Shqipëria ka më nevojë se kurrë, për intelektualë të vërtetë, ka nevojë më shumë se kurrë për intelektual të frymëzuar nga Havzi Nela, nga Vilson Blloshmi, nga Genc Leka, nga kollosë shqiptarë që u flijuan për dinjitetin e tyre, u flijuan për të vërtetat e mëdha të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sot për çdo shqiptar kushtrimi i Havzi Nelës, thirrja e shpirtit të tij është më e mprehtë, më therëse se asnjëherë. Sot sakrificat e Havzi Nelës dhe të gjithë atyre mijëra të tjerëve që ranë për fjalën e lirë, për besimin tek Zoti, për besimin tek Shqipëria, për besimin tek familja, është më emergjente se kurrë, më frymëzuese se kurrë. Sot shqiptarët çdo minutë, çdo orë duhet ti falen Zotit dhe himnit të tyre kombëtar; ja të vdesim ja të rrojmë për liri. Ky është lajtmotivi i guximtarëve në të gjitha kohërat, i atyre që duan të jetojnë me liri dhe dinjitet, i atyre që duan të punojnë, luftojnë për të ardhmen e tyre dhe vendit të tyre”, shkruan Berisha.