Burreli përkujtoi këtë të shtunë 32-vjetorin e themelimit të degës së Partisë Demokratike në këtë qytet.Në ceremoni ishte i pranishëm kryedemokrati Sali Berisha, i cili u shpreh se themelimi i PD-së dhe revolucioni demokratik i viteve ’90-të përbën ngjarjen më të rëndësishme për Shqipërinë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
“Së pari, më lejoni së bashku me ju të përulemi me nderimin më të madh para të gjithë atyre matjanëve që 32 vite më parë, themeluan këtu në Mat, degën e PD-së.
E themeluan atë në kushtet e një terrori të vërtetë komunist kundër saj.
Mati ka njohur pas themelimit të PD-së, ndër terroret më të egra kundër demokratëve. Themeluesit dhe qytetarët e Matit që mbështetën atë, në antimitingun e organizuar nga Ramiz Alia dhe diktatura e tij, kaluan mes gurëve dhe plumbave, por nuk u mposhtën.
Së bashku me Azem Hajdarin në krye, ata ia dolën të shmangin aktin që kishte parashikuar Partia e Punës.
Dhe Mati u shndërrua në një bastion të demokracisë. Themelimi i PD dhe revolucioni demokratik i viteve ’90 përbën ngjarjen më të rëndësishme për Shqipërinë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
46 vite në diktaturë tjetërsuan shqiptarët. 46 vite në diktaturë i vendosën shqiptarët në terrorin e urisë, në terrorin psikologjik të kasaphanës së luftës së klasave, në terrorin e burgjeve dhe kampeve të përqendrimit.
Themelimi i PD si parti e lirisë, dinjitetit njerëzor dhe interesit kombëtar të PD, shënoi kthesën epokale për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Bëri që shqiptarët, njerëzit më të shtypur të planetit, të shndërrohen në qenie të lira, ashtu siç kishin lindur, ashtu siç janë njerëzit para Zotit dhe lirisë.
Në rrugëtimin e saj, PD ia doli të ndërtojë në Shqipëri sistemin demokratik. Ndërtoi ekonominë e tregut. Ia doli që shqiptarët, më të varfrit e të varfërve në Europë dhe planet, të lënë mbrapa të gjitha kombet e tjera të Ballkanit për rrogën mesatare të vitit 2008.
Ia dolën që shqiptarët, më të izoluar në Europë, të anëtarësohen në KiE, NATO, të marrin rekomandimin për statusin e vendit kandidat, të vendosin bashkëpunim me vendet më të lira të botës.
Shqipëria sot, 32 vite më vonë, është 32 herë më ndryshe nga ajo që ishte në vitin 1990 dhe 1991. Ndaj më uroj të lejoj 32 herë, gëzuar festën, gëzuar themelimin e PD”, u shpreh kryedemokrati Berisha.