Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë një mbledhjeje në selinë blu me kryetarët e degëve të PD në gjithë vendin deklaroi se do gërshetojnë dhe kombinojnë gjithë format e përpjekjeve në betejën e tyre, teksa ka përmendur revoltat në sheshe, rrugë, institucione, qëndresën në parlament dhe hetimin parlamentar. Berisha deklaroi se Parlamenti nuk është “klubi i Edi Ramës” që të vijojë punën pa rregulla, ndërsa udhëzoi demokratët që duhet të jenë të gatshëm për protestë para këtij institucioni në çdo kohë.

“Ne do gërshetojmë dhe kombinojmë të gjitha format e përpjekjeve në këtë betejë. Revoltat në sheshe, rrugë, institucione e kudo, qëndresën në parlament, hetimin parlamentar, koha thërret popullin opozitar të gjendet në orën e tij. Ora më e rëndësishme në misionin tonë, ndërkohë ne nuk shmangim përkundrazi, bëjmë çdo përpjekje për 14 majin si një ditë fitoreje për kandidatët tanë të lirisë.

Shqiptarët duhet ta dinë se parlamenti është më I shëmtuar se kurrë, më i cunguar se kurrë, është një parlament ku shkelet kushtetuta çdo ditë, vendoset me urdhrat banditeske të Ramës çdo ditë. Dhunohet çdo ditë e drejta e të zgjedhurve nga shqiptarët. Ne jemi të vendosur të mos e braktisim atë kurrë, por ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që zëri i shqiptarëve të dëgjohet. Duhet të jemi të gatshëm në çdo kohë për protesta të fuqishme para parlamentit, ai është i qytetarëve. Siç e shihni ata sillen si një bandë, bllokojnë komisionet hetimore, nuk ndodh në asnjë vend të botës. Bllokimit të tyre do t’i përgjigjemi me një qëndresë të fortë. Protesta para parlamentit duhet të jetë e gatshme në çdo kohë! Parlamenti nuk mund të funksionojë si një klub i Edi Ramës, jashtë rregullave. Qytetarët do jenë në çdo kohë të gatshëm për të protestuar aty, deputetët janë përfaqësues të qytetarëve, as të Ramës, as të Lindës që nuk ka princip por zbaton verbërisht urdhrat e tij”, u shpreh Berisha.

Artikulli paraprakTRE APLIKACIONE MASHTRUAN 20 MILIONA NJERËZ, A KENI RËNË PRE EDHE JU?
Artikulli tjetërNË FOKUS PARREGULLËSITË, GATI TEKNOLOGJIA QË DO TË “DISIPLINOJË” TRANSPORTIN RRUGOR