Ish-kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij drejtuar mbështetësve, ka folur mes të tjerash edhe në lidhje me çështjen e parkut Kombëtar të Butrintit. Ai është shprehur se UNESCO deklaroi se plani i menaxhimit nuk e mbron Butrintin, por e vjedh Butrintin dhe se me planin e menaxhimit iu hap rruga qeverisë për të grabitur 600 hektarë në Kepin e Stillës dhe Gjirin e Manastirit. Berisha i ka bërë thirrje Kongresit amerikan të hetojë këtë çështje, të cilën e konsideroi një aferë të tmerrshme.

“Miqtë e mi, Edi Rama është rrezik i madh për ekonominë e vendit.
Këtë e ka denoncuar opozita, por jo vetëm.
Këtë e denoncoi zëvendëskryeministri i Edi Ramës me fakte.
Ka vjedhur qindra milionë euro me inceneratorët, ka vjedhur qindra milionë të tjerë me aferat e sterilizimit, po vjedh miliarda në portin e Durrësit, po vjedh miliarda me parkun e Butrintit, po përgatit vjedhjen e miliardave me parkun kombëtar të Divjakës.
Të dashur miq, ngrihuni shqiptarë, nëse nuk e ndaloni ju, Shqipëria do shndërrohet në çifligun e kryehajdutit të Shqipërisë, rajonit, Europës.
Vetëm forca juaj mund të ndalojë këtë hajdut të papërmbajtur.
Vetëm javën e fundit, eksploduan dy skandale multimiliardëshe.
Butrinti, UNESCO deklaroi se plani i menaxhimit nuk e mbron Butrintin, por e vjedh Butrintin.
Se me planin e menaxhimit iu hap rruga qeverisë për të grabitur 600 hektarë në Kepin e Stillës dhe Gjirin e Manastirit.
Sot reaguan, pasi e fshehën si hiena për 5 muaj me radhë, raportin e UNESCO-s që dënonte planin e menaxhimit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, bashkëvjedhës.
Miq, mos harroni se beteja më e rrezikshme sot është beteja kundër korrupsionit. Por ne jemi burra dhe gra të betuar që kurrë nuk do e falim.
Parku i Butrintit, ua them përsëri, është pasuria më përrallore, kulturore dhe natyrore e shqiptarëve dhe ndoshta një nga më përralloret në botë.
Çfarë bënë hajdutët? Dhe do t’ia them, dëgjo ti Martin dhe të gjithë ju anëtarët e bordit, u bëtë si ata dy fshatarët e mi, që njëri hipte në shpinë të tjetrit për të vjedhur shalqirin e Sahitit dhe pastaj betohej se me këto këmbë nuk kam shkelur në kopshtin tënd. Kurse tjetri thoshte me këto duar, nuk kam prekur shalqinin tënd.
Larg duart nga Butrinti, se planin e menaxhimit nuk ua hartoi opozita, e hartuat ju për të vjedhur qeveria dhe ju bashkë me të.
Larg duart nga pasuritë e popullit shqiptar. Tërhiquni!
I bëj thirrje Kongresit të SHBA, i bëj thirrje miqve të Shqipërisë në Kongres, të ndërmarrin një hetim për këtë aferë të tmerrshme korruptive.
Nuk mund të thuash ti sot se ç’bëri qeverisja, se qeveria hapi shtegun. Se planin e menaxhimit sipas UNESCO-s duhet ta bëje për të gjithë parkun, jo vetëm për atë llokmën që do merrje ti për vete.
Ndaj dhe larg duart, përndryshe në gjykatë ndërkombëtare do përfundoni.
Po, miqtë e mi. Korrupsioni nuk është vetëm shqiptar. Korrupsioni është botëror. Nuk ka ngjyrë, nuk ka dhe, nuk ka besim, nuk ka fe.
Ndaj dhe Martin, edhe njëherë, tregoju dhe atyre anëtarëve të bordit, historinë e hajdutëve të bostanit. Të heqin dorë nga Butrinti dhe t’i kërkojnë të falur shqiptarëve”, tha ai.

Artikulli paraprakMINISTRJA OGERTA MANASTIRLIU NË SPAK, PYETET PËR 2 ORË
Artikulli tjetërNDËRTIMI RRIT IMPORTET NË VEND! JANARI, I ZYMTË PËR EKSPORTET, TKURRJE ME 30%