Kryetari i PD-së, Sali Berisha, duke iu drejtuar të rinjve që kanë ndjekur shkollën politike të FRPD-së, tha se më 11 maj shqiptarët do të trimfojnë mbi të keqen. Ai tha se PD dhe të rinjtë nuk pranuan shkeljen e sovranitetit të brendshëm, që njerëzit të ishin zero pas njëshit, pushteti i tyre, që duhet të burojë prej tyre, të përfundonte i tëri në duart e diktatorit. Berisha tha se kjo përpjekje u bë tani, që edhe atë pushtet që sovrani ia jepte opozitës, t’i kalohej qeverisë, por ju nuk e pranuat.
“Lider do të thotë të mbrosh të vërtetën dhe të vërtetën e mbron ai, i cili është vetja e tij. Për mbrojtjen e të vërtetës ka edhe një porosi sa tokësore, aq edhe hyjnore. E thashë hyjnore sepse ishte një porosi që e dha në kohë Papa Gjon Pali II, ‘Mos kini frikë’. Papa Vojtila ishte një kardinal polak dhe e vërteta është se rrëzimit të diktaturës i priu kombi vigan polak.
Papa, në një meshë historike, lëshon kushtrimin, mos kini frikë dhe kjo thirrje u shndërrua në një moto kryesore me të cilën u përmbysën diktaturat. Ju nuk patët frikë, ju qëndruat, tani do u nxjerrim frikën të tjerëve. Lider do të thotë të prish me guxim. Mos harroni kurrë se njeriu është psikologjia e tij. Kaq është njeriu. Dhe në qoftë se ti vendos t’ia shkatërrosh, ti nuk bën gjë tjetër veçse shoferin e dehur që merr jetë në rrugë. Nuk i shkatërrohet tjetrit psikologjia, i ndryshohet tjetrit psikologjia. I ndryshohet me logjikë, me njerëzi, me respekt, me biseda, me bashkëbisedim, me dialog. Dhe unë pres nga ju, dhe kjo është një nga arsyet kryesore që PD ka vendosur që fushatën elektorale t’ua dorëzojë ju, nuk ka interlokutorë më të shkëlqyer se jeni ju. Ju jeni mesazherët më të mirë që mund të dërgohen sot tek çdo shqiptar. Ndaj edhe në këtë aspekt, si liderë do afroheni me çdo shqiptar duke ballafaquar ato që mbroni ju dhe ato që ai ndan gabimisht.
Asnjë revolucion, asnjë diktaturë nuk është rrëzuar nga askush tjetër veçse nga rinia. Ndaj dhe duke e mbyllur këtë fjalë, se sot keni edhe shpërndarjen e diplomave, një akt solemn i kurorëzimit të kësaj shkolle, ju ftoj të kalojmë në një betejë epike, në një betejë që do shpëtojë Shqipërinë nga diktatura më e keqe. Europa ka njohur diktatura naziste, Europa ka njohur diktatura staliniste, ka njohur në të shkuarën e saj diktatura teokratike, por për herë të parë në historinë e saj Europa njeh një diktaturë droge, krimi dhe kjo është diktatura e Edi Ramës. Ndaj dhe ne duhet të shumëfishojmë forcat tona, energjinë tonë, guximin tonë, të shpëtojmë Shqipërinë. Ne e shpëtuam PD-në, ju e shpëtuat PD-në, shpëtuat opozitën shqiptare. Sot shqiptarët kanë një opozitë të vërtetë sepse ju i qëndruat besnikë vetes tuaj, i qëndruat besnikë të vërtetave që besoni. Sot duhet që me 11 maj, shqiptarët të triumfojnë mbi të keqen dhe të rikthejmë vlerat e demokracisë”, tha Berisha.