Ish-kryeministri Sali Berisha, në arrest shtëpie për aferën Partizani, ka thyer sërish masën e sigurisë. Kësaj radhe, Berisha ka pritur në banesën e tij në rrugën ‘Mustafa Matohiti’, ish-ambasadorin e Shqipërisë në Londër, Mal Berisha, së bashku me disa personalitete të jetës akademike nga Kosova. Vetë Berisha nuk ka publikuar asnjë foto nga ky takim, por ish-ambasadori e ka znuluar me një postim në Facebook, teksa ka ndarë një foto dhe shkruan “burrat e mëdhenj të Kosovës nuk e harrojnë kurrë Prof. Dr. Sali Berishën, njeriun që mbi gjithçka vuri çështjen e Kombit Shqiptar dhe çlirimin, ndërtimin e shtetit, njohjen e pavarësisë dhe demokratizimin e Republikës së Kosovës”. Për ish-kryeministrin, i cili ndodhet në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit të vitit të shkuar ky takim përbën edhe një shkelje të urdhër-arrestit që gjykatat në vend kanë lënë në fuqi për të. Kjo nuk është hera e parë që Berisha thyen urdhër-arrestin duke zhvilluar takime në banesë, ndonëse sipas masës së sigurisë që është në fuqi, nuk do duhet të takojë persona të tjerë përveç familjarëve.
Shkelja e parë e masës së sigurisë ishte kur Berisha priti në shtëpinë e tij gazetarët e RAI 3, të cilët e bënë pjesë të dokumentarëve investigativë që publikuan për qeverinë Rama. Më pas një vizitë e ish-eurodeputetit gjerman të CDU-së, Elmar Brok pasoi më 14 maj, me këtë të fundit që nga dritarja e shtëpisë së kryeministrit mbajti edhe një fjalim për protestuesit në “Rrugicën e Shpresës”. Në fillim të muajit korrik, Berisha priti në banesë ish-kryeministrin turk, Ahmet Davutoglu dhe bashkëshorten e tij, me imazhet që u shpërndanë nga stafi i këtij të fundit.
Kush mori pjesë në takimin me Berishën?
Agim Rexhaj, President Nderi i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, “VATRA”.
Adnan Merovci, bashkëpunëtori më i afërt i Themeluesit të Shtetit të Kosovës dhe sot, biografi i Dr. Ibrahim Rugovës;
Fadil Geci, bashkëpunëtor i Dr. Ibrahim Rugovës, Luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-Deputet i Parlamentit të Kosovës;
Gani Geci, bashkëpunëtor i Dr. Ibrahim Rugovës, Luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-Deputet i Parlamentit të Kosovës;
Hysen Ibrahimi, ish Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë të Suedisë.