Pas një rimëkëmbje më të shpejtë sesa pritej në vitin 2021, rritja ekonomike pritet të zbutet më afër normës së saj afatgjatë.
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) parashikon që këtë vit, rritja ekonomike të jetë 3.7%. Ekaterina Solovova, drejtuese e BERZH për Shqipërinë, pohon në një intervistë për “Monitor” se, rreziqet vijojnë të mbeten të larta, ku më kryesori lidhet me pasigurinë e vazhdueshme për ecurinë e pandemisë.
Solovova rekomandon se duhet të forcohen reformat fiskale, në mënyrë që të garantohet qëndrueshmëria e borxhit publik afatgjatë. Është thelbësor edhe përmirësimi i vazhdueshëm i mjedisit të biznesit, në mënyrë që t’i mundësojë sektorit privat të arrijë potencialin e tij dhe të tërheqë investitorët e huaj.
Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe shpejtësinë e rimëkëmbjes së saj?
Në gjysmën e parë të vitit, Shqipëria ka shënuar rritje ekonomike më të fortë se sa pritej fillimisht dhe treguesit afatshkurtër sinjalizojnë për vazhdimin e rimëkëmbjes së shëndetshme në gjysmën e dytë të vitit. Kërkesa e brendshme dhe e jashtme u rritën ndjeshëm.
Investimet u rikuperuan fuqishëm dhe tejkaluan nivelin përkatës të vitit 2019, ndryshe nga shumica e vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Sektori i turizmit, që përbën historikisht rreth një të pestën e PBB-së shqiptare, u rikuperua pothuajse në nivelin e tij para pandemisë në muajt e pikut të verës. Ne presim që Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) të rritet me rreth 8% në 2021.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për ecurinë e ekonomisë shqiptare në vitin 2022?
Ne presim që rritja ekonomike të zbutet më afër normës së saj afatgjatë, në rreth 3.7% në vitin 2022. Ndërsa ka ende hapësirë për turizmin për t’u rikuperuar dhe për t’u rritur më tej, shtysa nuk ka të ngjarë të jetë aq e fortë sa këtë vit, duke pasur parasysh se rikuperimi i fortë tashmë ka ndodhur. Zgjerimi i vazhdueshëm i investimeve është një premisë e re për rritjen ekonomike.
Cilat janë rreziqet me të cilat pritet të përballet ekonomia në vitin 2022?
Një burim rreziku është pasiguria e vazhdueshme për ecurinë e pandemisë. Në kahun pozitiv, nëse do të ketë zhvillime më pozitive se sa pritej, këto do të nxisin kërkesën e jashtme dhe mbështesin besimin e biznesit. Zhvillime pozitive mund të ketë nëse dinamika e shëndetit publik përkeqësohet dhe nëse kufizimet e udhëtimeve dhe të tjera do të ndikojnë negativisht lëvizjen.
Burime të tjera të cenueshmërisë janë presionet inflacioniste, të cilat janë rritur në nivel global, dhe financat e shtrënguara publike, duke pasur parasysh se sa shumë u rritën borxhi dhe deficiti publik që nga fillimi i pandemisë.
Çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare në terma afatmesëm dhe afatgjatë për të zbutur rreziqet e pandemisë dhe për ta kthyer këtë krizë në mundësi?
Para së gjithash, është e rëndësishme të frenohet pandemia me mjetet që kemi sot në dispozicion – kryesisht, rritja e fushatës së vaksinimit dhe kryerjes së dozave përforcuese në popullatë, të bëhemi seriozë për zbatimin e masave të shëndetit publik, si vënia e maskave, distancimi social, etj. Shqipëria është prapa mesatares së BE-së në shkallën e vaksinimit, qëndrimi i publikut ndaj masave të sigurisë është i relaksuar, prandaj roli dhe veprimet e lidershipit të vendit janë vendimtare në këtë drejtim.
Duhet të forcohen reformat fiskale, në mënyrë që të garantohet qëndrueshmëria e borxhit publik afatgjatë. Është thelbësor edhe përmirësimi i vazhdueshëm i mjedisit të biznesit, në mënyrë që t’i mundësojë sektorit privat të arrijë potencialin e tij dhe të tërheqë investitorët e huaj.
Kjo krizë theksoi edhe nevojën për të ecur përpara me diversifikimin ekonomik, si një mënyrë për të ndërtuar rezistencë ndaj goditjeve të ardhshme, si dhe rëndësinë themelore të dixhitalizimit në të gjitha sferat e ekonomisë. Së fundi, adresimi i pabarazive duhet të jetë në krye të listës prioritare, pasi kriza përkeqësoi ndjeshëm tendencat ekzistuese, të cilat jo vetëm kanë një ndikim të dëmshëm në kohezionin social, por edhe në potencialin e përgjithshëm të rritjes së ekonomisë.
BERZH ka paralajmëruar vazhdimisht qeverinë shqiptare për rreziqet e detyrimeve të paqarta të krijuara nga projektet PPP. A keni ndonjë vlerësim të këtyre detyrimeve dhe rrezikut që mund të përballet qeveria shqiptare në të ardhmen e afërt dhe afatgjatë?
BERZH beson se PPP-të luajnë rol të rëndësishëm në çdo ekonomi, nëse strukturohen siç duhet. PPP-të, nga natyra e tyre, krijojnë detyrime në bilancin publik, të cilat duhet të merren parasysh gjatë buxhetimit për periudhat e ardhshme.
Rreziku kryesor është se, duke pasur parasysh natyrën e tyre jo aq lehtë të matshme, ekziston mundësia për të nënvlerësuar këto detyrime për çdo administratë të caktuar dhe kjo mund të krijojë një problem për qeverinë e ardhshme.
Mënyra se si janë strukturuar tenderët, cilësia e sponsorëve pas këtyre PPP-ve, aftësitë e tyre financiare dhe operacionale do të duhet të merren parasysh të gjitha, në mënyrë që të minimizohen rreziqet dhe të arrihet performanca e dëshiruar për përfitimin publik. BERZH ka përvojë të gjerë në ndihmën e dhënë qeverive për t’u marrë me PPP-të.
Cila është ecuria e hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës dhe kur pritet të finalizohet?
Kontrata e punimeve për rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe lidhjen e re me Aeroportin e Rinasit u nënshkrua në mars të vitit 2021. Kontraktori po finalizon projektin e detajuar inxhinierik dhe punimet aktuale do të nisin sapo të plotësohen kërkesat e Planit Mjedisor dhe Social.
Ne jemi duke punuar ngushtë me Hekurudhat Shqiptare për të qartësuar çdo kërkesë të pazgjidhur sa më shpejt të jetë e mundur dhe për të ofruar asistencë teknike, për të ndihmuar në zbatimin e projektit. Një tjetër projekt i rëndësishëm hekurudhor që po përgatitet me mbështetjen tonë është rehabilitimi i hekurudhës Vorë – Hani i Hotit, e cila pritet të bashkëfinancohet me grante nga BE-ja përmes WBIF.
Qeveria shqiptare po planifikon zhvendosjen e aktivitetit të Portit (cargo) të Durrësit në Porto Romano. Si e shihni këtë projekt? Keni ndër mend të shtoni një zgjatim hekurudhor në Portin e ri? Po projektet tuaja të tjera në Portin e Durrësit (për shembull rehabilitimi i kalatave 1 dhe 2 në Terminalin Perëndimor të Portit të Durrësit)?
Banka ka mbështetur Qeverinë e Shqipërisë në marrjen e një granti investimi nga WBIF për rehabilitimin e kalatave 1 dhe 2. Ajo mbështeti IFI në përgatitjen e dokumentacionit teknik për rehabilitimin e kalatave 1 dhe 2, gjithashtu me financim nga WBIF. Plani për zhvendosjen e aktiviteteve tregtare të Portit të Durrësit në Porto Romano është një vendim i Qeverisë Shqiptare.
Zhvendosja do të ketë ndikim në përdorimin e ardhshëm të kalatave 1 dhe 2, pasi qëllimi fillestar i projektit dhe qëllimi i përgjithshëm i Portit të Durrësit pritet të ndryshojnë. Ne e kemi ndjekur qeverinë për të kuptuar strategjinë e saj për zhvillimin e Portit të Durrësit dhe ndikimin në lidhjen hekurudhore, por për momentin, situata nuk është plotësisht e qartë.
BERZH ka ndihmuar Shqipërinë në përgatitjen për ankandet fotovoltaike për Spitallën dhe Karavastanë dhe tani po asiston në ankandet e energjisë së erës që janë në proces. Si i konsideroni dy projektet e para tani në një fazë zbatimi? A prisni që procedura e energjisë së erës të jetë po aq e suksesshme dhe cilat janë disa nga çështjet kryesore në sektorin e energjisë, që mendoni se duhet të adresohen?
Ankandet diellore, të projektuara dhe të drejtuara me asistencën teknike të BERZH-it, kanë ofruar një tarifë shumë konkurruese dhe kanë tërhequr investitorë cilësorë me përvojë të gjerë në energjitë e rinovueshme.
Projektet e Spitallës dhe Karavastasë kanë bërë progres të konsiderueshëm dhe BERZH, së bashku me huadhënës të tjerë, po punojnë për të arritur mbylljen financiare për të dy projektet. Ne presim të kemi një rezultat të ngjashëm të suksesshëm për ankandet e erës dhe deri më tani, kemi parë interesim të madh nga investitorët.
Diversifikimi i burimeve të rinovueshme të energjisë, liberalizimi dhe eficienca e energjisë (ulja e humbjeve dhe rritja e arkëtimeve) janë disa nga sfidat kryesore që duhet të adresohen në sektorin energjetik shqiptar, për të cilat ne po japim ndihmën tonë.
Ne kemi një bashkëpunim shumë të suksesshëm me Qeverinë Shqiptare për krijimin e kushteve për rritjen e kapaciteteve të energjisë së diellit dhe të erës në tregun shqiptar të burimeve të rinovueshme. Prioritetet tona sektoriale në këtë sektor përfshijnë edhe zbatimin e Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe Marrëveshjen e Parisit, që janë në linjë me objektivat dhe nevojat e diversifikimit të sektorit energjetik shqiptar.
Ne gjithashtu mbështesim liberalizimin e mëtejshëm të tregut të energjisë elektrike në Shqipëri dhe jemi të prirur të punojmë me aktorët përkatës (kryesisht OSHEE dhe OST) për të mbështetur investime të rëndësishme dhe shumë të nevojshme në rrjet. Përmirësimet e qeverisjes në sektorin e ndërmarrjeve shtetërore janë një tjetër fushë e rëndësishme e fokusit tonë (veçanërisht me KESH dhe OSHEE).
Turizmi konsiderohet si një nga sektorët kryesorë me potencial për t’u rritur dhe për të çuar përpara ekonominë. BERZH ka një projekt aktiv në lidhje me disa rrugë si Vlorë-Orikum dhe Shëngjin-Baks-Rrjoll. Në çfarë faze është ky projekt? A mendoni se sektori i turizmit po ecën në anën e duhur, pasi mund të shihni kantieret e ndërtimit kudo, ose duhet të balancojmë më shumë për ruajtjen e natyrës dhe të kemi një qasje miqësore me mjedisin?
Këto dy segmente rrugore janë pjesë e Projektit të Ndërlidhjes së Rrugëve Rajonale dhe Lokale, i cili financohet nga Banka Botërore dhe BERZH. Prokurimi i kontratave të punimeve për këto projekte rrugore ka përfunduar dhe Banka po punon ngushtë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, agjencinë zbatuese, për plotësimin e të gjitha kushteve që lidhen me Planin e Veprimit Mjedisor dhe Social përpara fillimit të punimeve.
Objektivi i përgjithshëm i projektit është të promovojë një lidhje më të mirë, për të mbështetur investimet e sektorit privat në sektorin e turizmit, i cili është një kontribuues i rëndësishëm në rritjen ekonomike të Shqipërisë. Ashtu si me çdo projekt të tillë të financuar nga BERZH, ndikimet mjedisore dhe sociale vlerësohen dhe konsiderohen me shumë kujdes dhe masat lehtësuese janë përfshirë në Planet e Veprimit Mjedisor dhe Social (ESAP). Kjo është arsyeja pse ne normalisht nuk lejojmë që punimet të fillojnë para se të plotësohen kushtet e ESAP.
Ky projekt plotëson Programin Shqiptar të Infrastrukturës dhe Mundësimit të Turizmit nga BERZH, i cili është në zbatim dhe fokusohet në zhvillimin e infrastrukturës që mundëson turizmin, restaurimin e vendeve të trashëgimisë kulturore, infrastrukturën bashkiake dhe të transportit dhe mbështetjen e SME-ve të lidhura me turizmin.
BERZH i konsideron këto investime, shumë të rëndësishme, për të zhbllokuar potencialin e Shqipërisë për një zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë të turizmit dhe rritje ekonomike. Për këtë qëllim, projekti përfshin një Program të Qëndrueshëm dhe të Eko Turizmit për të mbështetur Turizmin e Qëndrueshëm/Eko në rajonin e Shëngjinit dhe Velipojës.
Sektori i turizmit në vend duhet të balancojë nevojën për rritje me një nevojë po aq të rëndësishme për të ruajtur natyrën. Në këtë drejtim, është thelbësore një fokus i shtuar në menaxhimin e mbetjeve, menaxhimin e burimeve të ujit dhe ujërave të zeza dhe ndërhyrjet e synuara për të zbutur ndikimin negativ në mjedis, për shkak të ndërtimeve të shumta, në mënyrë që të kemi një sektor të qëndrueshëm turistik.
Si e vlerësoni performancën e projekteve të BERZH në Shqipëri?
Portofoli ynë në Shqipëri është i përqendruar në sektorin e infrastrukturës, kryesisht në projektet e transportit dhe energjisë, të cilat janë prekur më pak nga pandemia. Megjithatë, disa nga klientët tanë të sektorit privat, kanë përjetuar ndikimin negativ të pandemisë dhe rritjes së çmimeve të energjisë, por në përgjithësi portofoli ynë është i shëndetshëm.
Për sa u përket projekteve të reja, viti 2021 ishte një tjetër vit rekord për BERZH-in në Shqipëri me mbi 200 milionë euro financim që shtrihej në pothuajse 20 projekte. Ndër projektet kryesore të këtij viti është një kredi 100 milionë euro për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave, për të zbutur ndikimin e krizës në industrinë bankare.
Ne kemi mbështetur sektorin shqiptar të energjisë duke i dhënë KESH-it një kredi prej 9 milionë eurosh për të financuar një projekt të rëndësishëm të ndërtimit të impiantit të parë lundrues të energjisë diellore në Shqipëri dhe 70 milionë euro kredi për të mbështetur programin e likuiditetit dhe investimeve kapitale të OSHEE.
Është e rëndësishme të theksojmë se kemi zgjeruar më tej bashkëpunimin tonë me bankat shqiptare, në programet tona të kreditimit të SME-ve dhe në produktet tona të ndarjes së rrezikut që u mundësojnë bankave vendase të lirojnë kapital për kreditimin e kompanive shqiptare.
Një program i tillë i ndarjes së rrezikut është projektuar posaçërisht për SME-të që veprojnë në agrobiznes dhe turizëm – sektorë që aktualisht nuk janë shumë të financuar nga industria bankare. Institucioni ynë i Mbështetjes së Agrobiznesit dhe Turizmit në Shqipëri po kërkon të trajtojë këtë boshllëk.
Jam shumë e kënaqur që qeveria e Shqipërisë, së bashku me BE-në, kanë mbështetur këtë program të rëndësishëm, duke ofruar fonde për mbulimin e rreziqeve të papritura të humbjes për bankat pjesëmarrëse dhe stimuj investimi për huamarrësit fundorë (NVM-të shqiptare agro-turistike) për të stimuluar aktivitetin investues dhe aksesin në financim në këta dy sektorë të rëndësishëm.
Cilët janë sektorët ku ekonomia shqiptare duhet të fokusohet në të ardhmen dhe çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të vendit?
Vazhdoni me zbatimin e hapave të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të rinovueshme të energjisë. Dixhitalizimi i shpejtë i ekonomisë – dhe nuk po flas vetëm për qeverisjen elektronike (që është shumë e rëndësishme) por edhe dixhitalizimi i bizneseve private, duke filluar me pagesat, bankingun dixhital, reduktimin e ekonomisë së cash-it, investimet në infrastrukturën broadband – këto janë të rëndësishme për të siguruar integrimin e Shqipërisë në ekonominë e bazuar në njohuri, e cila në fund të fundit, duhet të tërheqë investime nga jashtë dhe të bëjë që talentet të qëndrojnë në vend.
Shqipëria mund të jetë një destinacion tërheqës investimi për prodhuesit europianë që kërkojnë të zhvendosen nga destinacioet e largëta drejt atyre që i kanë afër. Në këtë drejtim, është i rëndësishëm promovimi i potencialit të Shqipërisë në vendet kryesore prodhuese europiane, krahas masave për krijimin e stimujve/kushteve të duhura për hyrjen e investitorëve.