Ndërhyrjet e presidentëve të ekipeve shqiptare të futbollit vazhdojnë të jenë problem për trajnerët. Kreshnik Krepi, ish-trajner i Besëlidhjes së Lezhës është larguar nga drejtimi i këtij ekipi sepse presidenti Gjokë Noka ka tentuar që t’i ndërhyjë në formacionin e futbollistëve.

Këtë gjë Krepi nuk e ka pranuar në asnjë lloj mënyre ndaj edhe ka vendosur që të largohet nga drejtimi i skuadrës në këtë moment deçiziv kur Besëlidhja lufton për daljen në Superligë dhe është në vendet e para. Episodi është shënuar në minutën e 30’ në ndeshjen miqësore Lushnja-Besëlidhja. Lezhjanët kanë fituar një goditje dënimi dhe presidenti Noka ka urdhëruar që ta gjuaj lojtari serb Kosta Bajiç. Ky futbollist është kontestuar edhe më parë nga tifozëria shkodrane. Reagimi i trajnerit shkodran ka qenë i menjëhershëm teksa me ironi i është drejtuar presidentit Noka që të vijë e të bëhet vetë trajner. Ende pa mbaruar pjesa e parë Krepi është larguar nga pankina e Besëlidhjes për të mos u kthyer më aty. Shkodrani Krepi vlerësohet nga tifozëria lezhjane “si një njeri me personalitet të lartë ku fjalë kryesorë për të është puna, djersa dhe respekti. Nuk ka preferuar të flasë në media sepse nuk ka dashur që të flasë për persona me të cilët ka punuar deri tani. Një djalë që po tregon se ekziston burrëria dhe një strateg i vërtetë që ulë kokën punon dhe nuk merret me të tjerët. Kjo është Shqipëria, ky është vendi ku jetojmë. Ikja e tij ka lënë një shije të hidhur tëk ne që tashmë kemi humbur besimin për të mbështetur Besëlidhjen. Mirënjohje dhe respekt për Kreshnik Krepin, faleminderit për gjithçka”-thonë tifozët në një reagim në faqen e tyre në rrjetin social facebook. Raste të tilla ku presidentët kërkojnë të marrin rolin e trajnerit po bëhen të shumta dhe dëmtojnë futbollin. Kjo i ndodhi edhe shkodranit tjetër Samuel Nika tek Tërbuni, gjë për të cilën u largua dhe tashmë përsëritet për pak kohë edhe tek Besëlidhja me Kreshnik Krepin.

Artikulli paraprak“TË MBAJMË GJALLË ËNDRRËN E EUROPËS SË HAPUR”
Artikulli tjetërLIVING 23.1.2016