“Me dashuri të madhe Ju shpreh përgëzimet e mia dhe e falënderoj Zotin, që dhuron çdo të mirë, për dhuratat që Ju ka dhënë në vitet e gjata të shërbimit tuaj, bërë edhe më i frytshëm nga vuajtja e pësuar gjatë burgimit, për shkak të besnikërisë suaj të patrembur ndaj Krishtit”.

Kështu i shkruan Papa Françesku kardinalit shqiptar, 93 vjeçarit Ernest Simoni Troshani, i cili të shtunën e kaluar kremtoi 5-vjetorin e krijimit kardinal, në kishën titullare të tij në Romë, kushtuar Shën Marisë së Shkallës. Vetë Ati i Shenjtë pati kremtuar meshën për krijimin e kardinalit Ernest Simoni, bashkë me kardinaj të tjerë, më 19 nëntor 2016, vetëm dy vite pas vizitës së tij në Shqipëri.

Letra e Papës Françesku

Jam shpirtërisht pranë Jush e pranë të gjithë atyre, që ndajnë me Ju gëzimin për 65-vjetorin e shugurimit meshtarak dhe për 5-vjetorin e kardinalatit. Me dashuri të madhe, Ju shpreh përgëzimet e mia dhe e falënderoj Zotin, që dhuron çdo të mirë, për dhuratat që Ju ka dhënë në vitet e gjata të shërbimit tuaj, bërë edhe më i frytshëm nga vuajtja e pësuar gjatë burgimit, për shkak të besnikërisë suaj të patrembur ndaj Krishtit.

Ashpërsia e persekutimit nuk Jua ftohu zemrën e, kështu, në fund të asaj përvoje dramatike rifilluat t’i shërbeni Zotit dhe vëllezërve me gëzim e butësi, duke e vendosur dashurinë mbi gjithçka.

Dëshiroj të shpreh vlerësimin për impenjimin apostolik, që e vazhdoni me bujari e besnikëri, aty ku ju thërret Provania Hyjnore. Dëshmia Juaj i bën mirë bashkësisë së krishterë, i nxit barinjtë e Kishës dhe besimtarët laikë të jenë lajmëtarë të gëzueshëm të Ungjillit të mëshirës e dëshmitarë të shpresës. Faleminderit për zellin Tuaj baritor e për urtinë Tuaj.

Le t’ju mbështesë mbrojtja dhe ndërhyrja e Virgjërës Mari që të vazhdoni misionin për të promovuar marrëdhënie të përzemërta kishtare e vëllazërore, duke treguar në çdo nivel rëndësinë e bashkimit. Me këto ndjenja, ndërsa i kërkoj Zotit të dikojë rishtas mbi Ju hire e ngushëllime hyjnore, nga zemra, Ju jap Bekimin apostolik, të cilin e shtrij me dëshirë në të gjithë njerëzit e dashur për Ju.

Françesku

Romë, Shën Gjoni në Lateran, 29 tetor 2021

Marrë nga Radio Vatikani

Artikulli paraprakTEZJA E MATEOS 8-VJEÇAR SHOKON ME DEKLARATËN: SYTË E TIJ KANË PARË DIÇKA, NDAJ U VRA
Artikulli tjetërSHKODËR, RRUGA “SELIM GJYREZI” MBUSHET ME UJË