Ashtu siç paralajmëroi një ditë më parë, Besnik Muçi duket se nuk do të njohë vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për shkarkimin e tij nga detyra.
Si çdo ditë tjetër, edhe sot ai është paraqitur në Gjykatën Kushtetuese në cilësinë e anëtarit të kësaj gjykate.
Të enjten, Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra ish-prokurorin e Krimeve të Rënda, i dekretuar nga Presidenti i Republikës si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi u shpall në orën 11:00 nga kryetari i trupit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Sokol Çomo.
“Shkarkohet nga detyra subjekti i rivlerësimit Besnik Muçi, prokuror në procesin e rivlerësimit, gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese në momentin e shpalljes së vendimit. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm ”
Trupi gjykues çmoi se subjekti i rivlerësimit “është në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm të pasurisë. Nuk mund të gëzojë besimin e publikut për të qëndruar në detyrë. Ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë së tij dhe personave të lidhur me të.
Muci e quan: Nul
Por një vendim i tillë konsiderohet nul nga Muçi, i cili thotë se në momentin që ka bërë betimin si anëtar i Gjykatës Kushtetuese ky vendim nuk ka më efekt.
Besnik Muçi: Vendimi nuk afekton funksionin tim si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Kolegji i Posaçëm i Apelimit, sot nuk mund ti shtrijë kompetencat e veta mbi anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të zgjedhur sipas parashikimeve kushtetuese të ndryshuara në 2016.”
Një vit më parë KPK konfirmoi në detyrë Muçin, por vendimi u ankimua nga Komisioneri Publik.
Gjatë kohës që KPA po shqyrtonte dosjen presidenti e dekretoi si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Besnik Muci: “Kam zgjedhur dhe kam ushtruar detyrën e prokurorit për 17-18 vjet, mëkati i vetëm që bëra para dy vitesh ishte se aplikova për anëtar në Gjykatën Kushtetuese, mendoja se i plotësoja kriteret. Mëkatin tjetër e bëri Ardian Dvorani që më listoi të tretin në listë. Mëkatin tjetër e bëri presidenti Ilir Meta që më emëroi anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Ku qëndron problem im në këtë situatë.
Çfarë mund të bëjë një jurist që ka punuar me pasion dhe kërkon të bëjë karrierë duke respektuar në mënyrë maksimale procedurat institucionet ndërkohë që ndodhem në këtë siuatë ku po mundohem të analizoj vendimin e Kolegjit të Posacëm të Apelimit.”