Itali, beteja e fundit para referendumit për reformën kushtetuese
Ka mbetur pak më shumë se një javë nga dita kur italianët do të votojnë në referendumin më të debatuar për ndryshimet kushtetuese. Palët politike janë ata që tashmë po japin maksimumin me ture në qytete të ndryshme dhe me mesazhe në media për tu rekomanduar qytetarëve votën po ose jo mbi reformën, që do të ulte shpenzimet qeveritare dhe numrin e deputeteve në parlamentin dhe senatin italian. Por e diela e katër dhjetorit shihet edhe si një test i drejtpërdrejtë për kryeministrin Mateo Renzi, i cili fillimisht tha se do të dorëhiqej nëse italianët do të votonin kundër reformës kushtetuese, por më pas u tërhoq nga ky premtim, teksa aktualisht janë kundërshtarët e tij veçanërisht ata të Lëvizjes “5 Yje”, që kërkojnë largimin e tij nga skena italiane e politikës nëse fiton alternativa jo. “Një popull i pjekur voton në liri të plotë pa ndjekur polemikat e fundit”. 4 dhjetori do të jetë një shfaqje e madhe e demokracisë, deklaroi Renzi, teksa i ka kthyer përgjigje edhe ish-kryeministrit Silvio Berluskoni i cili ka shprehur votën e tij kundër referendumi dhe ka sulmuar Renzin për qëndrimin e tij në detyre pavarësisht rezultatit të referendumit. “Nuk votohet për mua, por për superim të bikameralizmit, kam respekt për Berlusskonin por nuk e kuptoj pse mendon gjithmonë për mua”, u shpreh Renzi. Kryeministri italian do të mbajë të hënën një konferencë për shtyp për të shpjeguar të gjithë procedurën e votimit.