Deklarata e PS-së:
U njohëm sot me Vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë lidhur me mospranimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të efekteve të Dekretit nr. 9716 datë 02.08.2016 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kryetar të Bashkisë Dibër”. Vendimi në fjalë është dështimi i radhës i drejtësisë në këtë vend. Ai është marrë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Civile, Kodin e Procedurës Administrative dhe ligjin e posaçëm që rregullon funksionimin e kësaj Gjykate. Së pari, vlerësojmë të informojmë opinionin publik se ky vendim nuk lidhet dhe nuk krijon pasoja për themelin e kërkimit tonë por vetëm me kërkimin e masës së sigurimit të padisë. Pritja e gjykimit të themelit të kërkimit do të jetë sfidë e rradhës për drejtësinë. Së dyti, argumentet e përdorura për mospranimin e kërkesës sonë janë të pabazuara dhe në padijeni të plotë të ligjit. Sipas parashikimit të nenit 205 paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Civile dhe Kodit të Procedurës Administrative, gjykimi i masës së sigurimit të padisë mund të shqyrtohet edhe në mungesë të palëve. Kjo është praktikë e konsoliduar e autoritetetit gjyqësor. Për më tepër, gjykatësi që sot u mor në mbrojtje me zell të madh nga Partia Demokratike për një kërcënim imagjinar dhe kjo Gjykatë, ka dhënë plot masa sigurimi edhe pa praninë e palëve. Një gjykim kaq i mjerë profesionalisht dhe zbatimi i dy standarteve në drejtësi nga gjykatësi dhe Gjykata Administrative, është një tjetër alarm i fortë për pushtetin gjyqësor dhe domosdoshmërinë e fillimit të zbatimit pa humbur kohë të Reformës në Drejtësi. Edhe pretendimi i dhënies së vendimeve jopërfundimtare dhe mosplotësimi i kushteve formale të padisë janë një shkelje e hapur e ligjit, Kodit të Procedurës Civile dhe Kodit të Procedurës Administrative dhe praktikës gjyqësore. Saktësojmë me këtë rast edhe faktin se Partia Socialiste nuk ka bërë ankim në Kolegjin Zgjedhor dhe ky fakt i bën pretendimet e ngritura në deklaratën e sotme të Partisë Demokratike, një shpifje banale të radhës. Ndërkohë që po, Vetingu për gjykatës të tillë që shqelmojnë ligjin, interesin publik dhe profesionin e tyre pa pikën e turpit, është e vetmja zgjidhje! Dhe Partia Socialiste do të vazhdojë të ngrejë zërin dhe të qëndrojë e palëkundur pro Reformës në Drejtësi si një proces që do të pastrojë sistemin nga autorët e papërgjegjshëm të vendime gjyqësore të turpshme e të paligjshme si ky i sotmi. E kuptojmë shumë mirë siç e kupton mbarë Shqipëria dhe bota demokratike, pse Partia Demokratike e ka kaq shumë problem zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe pse ajo rend të inkurajojë me deklarata shpifëse gjykatës të tillë. Por Reformën në Drejtësi dhe pastrimin e gjyqësorit nga veglat e padrejtësisë nuk e ndal dot më asgjë dhe askush.