Kryeministri irakian, Haider al Abadi ka thënë se kanë filluar operacionet ushtarake për të rimarrë Mosulin perëndimor nga militantët e grupit ekstremist, Shteti Islamik. “Forcat tona po fillojnë me çlirimin e qytetarëve nga terrori i DAESH-it, (Shtetit Islamik)”, ka thënë Abadi.
Mosuli është kryeqyteti i vetëshpallur i të ashtuquajturit “kalifat” të militantëve ekstremistë të IS-it në Irak. Përpjekjet irakiane që kanë mbështetjen e SHBA-së për të rimarrë Mosulin, zonën e fundit të kontrolluar nga IS-i në këtë vend, ka filluar më 17 tetor dhe ka pasur sukses në marrjen e pjesës lindore të qytetit, disa javë pas luftimeve të ashpra. Pjesa perëndimore mbetët nën kontrollin e Shtetit Islamik, zonë ku 650 mijë deri në 800 mijë civilë janë të përzier me kryengritësit. Gjatë të dielës më 19 shkurt, avionët irakianë kanë lëshuar miliona broshura për të paralajmëruar banorët për fillimin e sulmit ndaj pjesës perëndimore. Broshura të tjera kanë paralajmëruar anëtarët e Shtetit Islamik që të “dorëzojnë armët dhe të dorëzohen edhe vet”.