Vllaznia bën një tjetër goditje në merkato. ajo ka firmosur edhe me mbrojtësin Ditmar Bicaj.

Një përforcim ky i rëndësishëm për prapavijën dhe tashmë skuadra shkodrane po merr formën e duhur. Për t’u plotësuar ashtu si duhet, trajneri Cungu, përveç Bicajt, tashme pret edhe dy përforcime të rëndësishme në sulm. Pas Yll Hoxhës, Vllaznia ka bërë një tjetër goditje të rëndësishme në merkato. Bëhet fjalë për mbrojtësin Ditmar Bicaj, i cili ka firmosur kontratën me klubin shkodran. 26-vjeçari, në fakt, pak kohë u parë u transferua në kampionatin iranian, te Makine Sazi, por ditët e fundit federata e këtij vendi i ka nxjerrë një problem. Lojtari lezhjan është detyruar të prishë kontratën e të kthehet në Shqipëri. Me t’u kthyer këtu, ai ka hyrë në negociata me drejtuesit e klubit shkodran dhe sot ka arritur akordin përfundimtar. Që do të thotë se për sezonin e ri, ai do të luajë me Vllazninë. Ky konsiderohet një përforcim shumë i rëndësishëm për qendrën e mbrojtjes, pozicion ku trajneri Cungu kishte kërkuar edhe një tjetër lojtar cilësor, përveç Cicmil e Vrapit. Me marrjen e Bicajt, tashmë çdo gjë është mbyllur për mbrojtjen. Ardhja e këtij të fundit është një lajm i mirë edhe për tifozët shkodranë, sepse lojtari me origjinë lezhjane, përveç karrierës me Tiranën, Skënderbeun, Flamurtarin e Partizanin, tashmë do të ketë një tjetër fanellë të veshur, atë të Vllaznisë, skuadër për të cilën ka dhënë kontribut si trajner edhe babai i tij, Vasi Bicaj. Vllaznia e sezonit të ri pritet të jetë krejt ndryshe në krahasim me atë të sezoneve të mëparshme, megjithatë, kampionati do edhe 5 javë për të nisur.

Artikulli paraprakNISIN NË SHKODËR, KONCERTET E VERËS
Artikulli tjetërVLLAZNIA “LËVIZ” NË MERKATO, PRITET EDHE NJË SULMUES