Presidenti i SHBA, Joe Biden dhe kryeministri i ri i Britanisë, Rishi Sunak ranë dakord gjatë bisedimeve të martën që të punojnë së bashku për të mbështetur Ukrainën dhe për t’i bërë ballë Kinës, tha Shtëpia e Bardhë.

Ata folën për herë të parë disa orë pasi Sunak u bë kryeministri i tretë i Britanisë, duke trashëguar një krizë ekonomike pas dorëheqjes së Liz Truss, mandati i së cilës zgjati disa ditë. Biden dhe Sunak riafirmuan “marrëdhëniet speciale” midis SHBA dhe Britanisë dhe thanë se do të punojnë së bashku për të avancuar sigurinë dhe prosperitetin global, tha Shtëpia e Bardhë në një përmbledhje të bisedës mes liderëve të vendeve anglishtfolëse.

“Udhëheqësit ranë dakord për rëndësinë e punës së bashku për të mbështetur Ukrainën dhe për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për agresionin e saj”, thuhet në deklaratë për luftën e shkaktuar nga pushtimi rus.

Sunak i ka premtuar presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, se mbështetja e Britanisë për Ukrainën do të jetë e qëndrueshme dhe “aq e fortë se kurrë nën kryesinë e tij”, ka thënë një zëdhënës i Downing Street. “Kryeministri tha se Presidenti Zelenskiy mund të mbështetet tek qeveria britanike për solidaritet të vazhdueshëm. Të dy udhëheqësit ranë dakord për nevojën për të vazhduar presionin mbi regjimin barbar të Putinit përmes sanksioneve të vazhdueshme ekonomike.

Artikulli paraprakGJERMANIA DREJT LEGALIZIMIT TË KANABISIT
Artikulli tjetërMIQËSORJA ME ARABINË SAUDITE LUHET ME DYER TË MBYLLURA, FORMACIONI I SHQIPËRISË