Në vitin shkollor 2020-’21, u diplomuan në arsimin zyrtar 96.005 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 2,2%, krahasuar me vitin shkollor 2019-’20.
Ulje në numrin e të diplomuarve kanë pasur të gjithë nivelet arsimore, 9-vjeçar, i mesëm dhe i lartë, raportoi INSTAT.
Tkurrja më e fortë është shënuar në arsimin 9-vjeçar, duke reflektuar plakjen e popullsisë dhe rënien e lindshmërisë vitet e fundit.
Sipas niveleve arsimore, struktura e diplomimeve në arsimin zyrtar është pothuajse e njëjtë, gjatë tre viteve të fundit shkollor/akademik.
Arsimi Parauniversitar
Në vitin shkollor 2020-’21, në arsimin 9-vjeçar u diplomuan 32.179 nxënës, duke shënuar një ulje prej 4,3%, krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Nga të diplomuarit në këtë nivel arsimor 52,9% ishin djem dhe 47,1% vajza.
Në arsimin e mesëm u diplomuan 31.136 nxënës, duke shënuar një ulje prej 1,7%, krahasuar me vitin e kaluar shkollor.
Në këtë nivel arsimor u diplomuan 47,3% djem dhe 52,7% vajza. Në arsimin profesional u diplomuan 3.831 nxënës. Të diplomuarit e arsimit profesional përbëjnë 12,3% të të diplomuarve gjithsej në arsimin e mesëm. Raporti bruto i diplomimit në arsimin e mesëm per vitin shkollor 2020-21 është 79,6%.
Arsimi i Lartë
Në vitin akademik 2020-21, u diplomuan në arsimin e lartë 32.690 studentë, duke shënuar një ulje të lehtë prej 0,6%, krahasuar me 2019-20.
Studentët e diplomuar në programet Bachelor përbëjnë 54,0% të studentëve të diplomuar gjithsej, ndjekur nga programet Master me 40,8%. Në të gjithë programet e arsimit të lartë, në këtë vit akademik, u diplomuan 21.592 studente femra, ose 66,1% e numrit të përgjithshëm të studentëve të diplomuar në arsimin e lartë.
Administrim biznesi më i preferuari
Fusha në të cilën janë diplomuar më shumë studentë në të gjitha programet është “Biznes, administrim dhe ligj” prej 30,0% ose më shumë se një e katërta e numrit të përgjithshëm të të diplomuarve.
Fusha e dytë më e preferuar nga meshkujt është “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” me 18,9% të të diplomuarve meshkuj. Ndërsa, nga femrat gjithsej të diplomuara, fusha e dytë e preferuar është “Shëndet dhe mirëqenie” me 18,3% të të diplomuarave.
Analizuar për secilën fushë veças, fushat në të cilat janë diplomuar më shumë femrat krahasimisht me meshkujt janë “Arsim” (82,3%), ndjekur nga “Arte dhe shkenca humane” (79,9%) dhe “Shkenca sociale, gazetari dhe informacion” (79,1%).
Fushat në të cilat janë diplomuar më shumë meshkujt krahasimisht me femrat janë “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” (64,4%), “Shërbime” (63,9%) dhe “Teknologjia e informacionit dhe komunikimit” (61,6%)./Monitor/