Rrugët e vendit janë përgjakur pasditen e kësaj të diele, duke shënuar një bilanc tragjik. Në vetëm pak orë në rrugët e vendit janë shënuar 7 aksidente, ku për pasojë kanë humbur jetën 3 qytetarë dhe kanë mbetur të plagosur 11 të tjerë.
Aksidenti më i vonë u shënua në aksin Tepelenë-Gjirokastër. Viktimë ka mbetur 33-vjeçari Leons Imeri, i cili duke udhëtuar me mjetin e tij tip ‘BMW’ ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar disa metra poshtë rrugës. I riu, nga fshati Hormovë, Tepelenë, nuk ka mundur që t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.
Ndërkohë në aksin Qafë-Thanë-Librazhd ndërroi jetë një 60-vjeçar, shofer i një furgoni, pasi u përplas me një minibus. Nga një aksident, tragjikisht ka humbur jetën dhe një këmbësor në aksin Fushë-Krujë-Tapizë. Ndërsa nga të plagosurit, raportohet se disa prej tyre janë në gjendje të rëndë.