Derbi i dytë sezonal ndërmjet Partizanit dhe Tiranës solli kaos dhe sjellje aspak të hijshme në stadiumin “Air Albania”. Sfida u ndërpre tre herë për shkak të hedhjeve të tymuesve në fushë, por ajo që ishte më e rëndë ishte fundi i sfidës, ku dy tifozeritë u futën në fushë dhe për pak shkaktoi një sherr masiv, ku u desh ndërhyrja e policisë për të shmangur konfrontimin. Gjithashtu pati dhe shumë stola të thyer, por këtë herë FSHF vendosi të mos ndëshkojë rëndë protagonistët, për këtë fillim viti e ka kaluar thjeshtë me gjobë:
Vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së FSHF datë 11.01.2022
1. FK Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, dëmtimin e mjediseve sportive dhe pajisjeve sportive, në bazë të neneve 65/1, 65/3/a, 65/3/c dhe 65/3/f të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
FK Partizani, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.
2. KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, dëmtimin e mjediseve sportive dhe pajisjeve sportive, në bazë të neneve 65/2, 65/3/a, 65/3/c dhe 65/3/f të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
KF Tirana, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.