Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka vlerësuar se numri i vdekjeve me koronavirus në botë mund të ketë shkuar në rreth 15 milionë. Kjo shifër është për 13 për qind më e madhe sesa ajo që është parashikuar përgjatë dy vjetëve.
OBSH beson se shumë shtete nuk kanë raportuar situatën reale për viktimat me COVID-19, sëmundjen që shkakton koronavirusi. Zyrtarisht besohet se 5.4 milionë njerëz kanë vdekur me këtë virus. Sipas OBSH-së, në Indi kanë vdekur 4.7 milionë njerëz, apo 10 herë më shumë sesa është raportuar. Qeveria indiane i ka parë me dyshime këto vlerësime, duke thënë se ka “shqetësime” për metodologjinë, ndonëse edhe studime tjera kanë përmendur shifra të ngjashme për viktimat në Indi.
OBSH ka përfshirë në kalkulime edhe vdekjet për të cilat COVID-19 nuk ka qenë pasojë direkte, por përcjellëse, pasi aty ka pasur raste të vdekjeve sepse pacientët nuk kanë pasur qasje në kujdesin shëndetësor për të cilin kanë pasur nevojë. Duke raportuar për shifrat, mjekja Samira Sama, nga Departamenti për të dhëna në OBSH, e ka cilësuar situatën si “tragjedi”.
“Është numër marramendës dhe është e rëndësishme për ne të nderojmë jetët e humbura, por edhe që të mbajmë përgjegjës politikbërësit”, ka thënë ajo. “Nëse nuk numërojmë të vdekurit, ne do të humbin mundësinë që të jemi të përgatitur më mirë në të ardhmen”. Përveç Indisë, shtetet tjera me numër të lartë të viktimave me COVID-19 janë: Rusia, Indonezia, Shtetet e Bashkuara, Brazili, Meksiko dhe Peruja.