Zv. ministrja e brendshme, Rovena Voda në një deklaratë të sajën ditën e sotme ka bërë me dije përditësimin e të dhënave dhe bilancin paraprak të punës në bashkitë Durrës, Krujë, Shijak, Kurbin, Tiranë, Kamëz, Lezhë.
Në lidhje me situatën në Manzë, Voda shprehet se prej ditës së djeshme kampi ku qëndronin familje të prekura nuk ekziston më si strukturë shërbimi dhe strehimi, 103 banorët që jetonin në të tashmë janë akomoduar në njësitë lëvizëse të banimit. Për këta banorë është siguruar nga struktura shtetërore pajisja me çadra dimërore, shtretër portative, paketa ushqimore dhe veshje.
Numri total i objekteve të inspektuara në Durrës është 6298. Në Bashkinë e Shijakut janë 1670 objekte të inspektuara, 424 prej tyre konstatohen të pabanueshme dhe 900 për tu prishur. Në Krujë 921 banesa të pabanueshme dhe 45 objekte për tu prishur.
Përsa i përket objekteve që përbëjnë rrezik, në Durrës janë shembur 46 objekte, në Krujë janë 10 objekte të shembura. Në të gjitha objektet e shembura vazhdon procesi i pastrimit të inerteve.