Superklasikja që do të vendosë skuadrën më të fortë të futbollit në Amerikën e Jugut rrezikon të kthehet në ndeshjen më të gjatë dhe të përfolur në histori.
River Plate dhe Boca Juniors do të masin forcat në 9 Dhjetor, në orën 20:30, në stadiumin “Santiago Bernabeu” dhe përveç apelimeve dhe polemikave ndaj konfederatës, në orët e fundit shpërtheu dhe një problem për biletat.
Impianti i Realit të Madridit u zgjodh për finalen e Kupës Libertadores dhe kështu shoqëria spanjolle rezervoi të drejtën për të mbajtur 7 mijë bileta për tifozët e saj.
Vendet në stadium për tifozët galaktikë u shitën në më pak se një orë e gjysmë, por ata me shumë gjasë nuk do të shkelin këmbë në “Santiago Bernabeu”, pasi biletat dolën menjëherë në shitje për çmime stratosferike.
Herën e fundit në ankandet në e-Bay, çmimet për finalen që nuk u zhvillua dot prej trazirave arritën në 3 900 euro. Këtë radhë ndoshta diçka më pak për shkak të largësisë së stadiumit nga kryeqyteti argjentinas.
River Plate dhe Boca Juniors kanë marrë secili nga 5 mijë bileta për të abonuarit e tyre, ndërsa pjesa tjetër e impiantit prej 80 mijë vendesh do të mbushet përmes shitjes së lirë, “online” dhe në sportelet e Realit.
Në tempullin “merengues” do të jenë gjithashtu dy spektatorë VIP, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, të cilët kanë ndarë mes tyre 10 edicione të Topit të Artë, para se këtë javë të parakaloheshin nga Modriç.