Lidhja videofonike e planifikuar mes Presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit të Shteteve të Bashkuara Joe Biden pritet të jetë “e detajuar dhe e gjatë”, tha të hënën zëdhënësi i Kremlinit.

Dimtry Peskov tha se Ukraina dhe prezenca e NATO-s pranë kufijve të Rusisë pritet të dominojnë bisedën e planifikuar për t’u zhvilluar të martën. Biseda do të bëhet ndërsa janë krijuar tensione mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për shkak të rritjes së pranisë ushtarake ruse përgjatë kufirit ukrainas, që shikohet si shenjë e një pushtimi të mundshëm.

Zoti Peskov përsëriti se Presidenti rus Putin do të kërkojë garanci se NATO nuk do të zgjerohet deri në Ukrainë. Marrëdhëniet Rusi-SHBA kanë qenë të paqëndrueshme që kur mori detyrën Presidenti Biden.

Administrata e tij vendosi sanksione ndaj objektivave ruse dhe denoncoi publikisht zotin Putin për ndërhyrjen e Kremlinit në zgjedhjet amerikane, për aktivitetin kibernetik kundër kompanive amerikane dhe për trajtimin e udhëheqësit opozitar Alexei Navalny, i cili u helmua vitin e kaluar dhe më vonë u burgos.

Gjatë takimit Putin-Biden të zhvilluar në muajin qershor në Gjenevë, presidenti amerikan paralajmëroi se nëse Rusia do të kalonte vijën e kuqe, përfshirë sulmet ndaj infrastrukturës kryesore amerikane, administrata e tij do të përgjigjej dhe se “pasojat do të ishin shkatërrimtare.

Artikulli paraprakDALIN DETAJE TË TJERA/ GRUAJA E ISH-DEPUTETIT QË U EKZEKUTUA NXJERR EMRAT DHE NDRYSHON DËSHMINË
Artikulli tjetërSHBA BOJKOT DIPLOMATIK NË LOJËRAT OLIMPIKE TË PEKINIT, JA ARSYEJA